Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me Ambasadorin William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, për të diskutuar një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe tragjike të historisë moderne të Kosovës: Masakrën e Reçakut dhe dëshminë e paçmueshme të Ambasadorit Walker për këto ngjarje.
Në këtë takim, Kurti shprehu mirënjohjen për angazhimin e Ambasadorit Walker në mbështetje të së vërtetës dhe drejtësisë, si dhe për kontributin e tij në përkujdesjen dhe promovimin e ndihmës ndërkombëtare gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Gjatë këtij takimi u vlerësua angazhimi i Qeverisë për realizimin e këtij projekti gjersa më 11 janar 2023, Qeveria kishte miratuar vendimin për financimin e hulumtimit, shkrimit, editimit, përkthimit, shtypit dhe promovimit të librit të Ambasadorit Walker, me një mbështetje financiare prej 70,000 eurove për këtë iniciativë.
“Ky financim do të sigurojë që ky libër të arrijë deri te audienca më të gjera dhe të kontribuojë në edukimin e brezave të rinj për historinë e Kosovës dhe luftën e saj për liri. Ky libër pasqyron perspektivën e Ambasadorit Walker si shef i Misionit Verifikues të OSBE-së dhe është një pasqyrë e vërtetë dhe e pazëvendësueshme e ngjarjeve që ndodhën më 15 janar 1999 në fshatin Reçak. Ai është një akt i rëndësishëm që kontribuon në dokumentimin dhe shpërndarjen e dëshmive autentike për krimet e kryera nga regjimi i Serbisë në Kosovë, duke çuar përpara njohjen ndërkombëtare të gjenocidit që ka ndodhur në vendin tonë gjatë periudhës së luftës”, thuhet tutje.“Pavarësisht 26 viteve të kaluara, Qeveria e Kosovës dhe populli ynë mbeten të angazhuar për të siguruar që e vërteta të mos harrohet kurrë dhe që përgjegjësit për gjenocidin të përballen me drejtësinë”, përfundon njoftimi.