Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, ka konsideruar 2024 si vit jashtëzakonisht të suksesshëm për sportin tonë duke thënë se dy medaljet e fituara në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” ishin pika më kulminante.
Përtej medaljeve, Krasniqi thotë se Kosova gjatë vitit të kaluar ishte edhe vendtakim i figurave më të rëndësishme të sportit botëror pasi u vizitua nga përfaqësues të rreth 40 shteteve përmes Platformës Evropiane të Sportit, por edhe në 10-vjetorin e anëtarësimit të KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Sipas Krasniqit, aktivitetet e tilla i kanë hapur dyert federatave sportive që të kërkojnë organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare sportive në vendin tonë dhe se vitet e ardhshme pritet të jenë shumë produktive në këtë drejtim.
Në intervistën për KosovaPress, Krasniqi ka folur edhe për Lojërat Mesdhetare në vitin 2030. Ai ka thënë se ekziston rreziku që të humbet e drejta e organizimit të këtyre lojërave nëse nuk punohet me ritmin e duhur në përgatitjen e infrastrukturës sportive dhe çështje tjera organizative.Mandati i Krasniqit në krye të KOK-ut skadon në muajin mars, por ai ka zbuluar për KosovaPress se do të kandidojë edhe për një mandat të ri katërvjeçar.
“Unë personalisht synoj edhe katër vjet, këtë e kam thënë edhe në vitin 2021 kur jam bërë kryetar që synimet e mia janë për dy mandate edhe vetë kam propozuar që në statut të jetë që një president t’i ketë vetëm dy mandate, jo më shumë sepse besoj se nuk ka çfarë të jap më shumë se dy mandate. Unë atë që kam synuar para katër vjetësh besoj se e kam arritur, ky ka qenë qëllimi im, strategjia ime, të gjitha premtimet që i kam dhënë jam munduar t’i mbajë dhe pse jo edhe t’i tejkalojë”, tha Krasniqi.
Krasniqi ka lavdëruar punën e federatave sportive duke thënë se secila prej tyre është duke bërë punë të palodhshme që sporti i Kosovës të fuqizohet dhe të ketë rezultate kulminante edhe në garat ndërkombëtare.