Konferenca e Bujanit ka filluar më 31 dhjetor 1943 dhe ka përfunduar më 2 janar 1944. Aty është nënshkruar një rezolutë, ku Kosovës i njihet e drejta e vetëvendosjes deri në shkëputje dhe realizimi i dëshirës së popullit shqiptar të Kosovës për bashkim me Shqipërinë.
Konferenca e Bujanit është mbajtur si ri-konfirmim i rrethanave të reja të krijuara pas Mbledhjes së Mukjes, si dhe rezultat i mos përfshirjes së Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën sundimin e ish- Mbretërisë serbo-kroate-sllovene, (Konferenca e Bujanit), e cila u mbajt pikërisht për t’i kundërshtuar vendimet e Mbledhjes së Dytë të AVNOJ-it në Jajce (29-30 nëntor 1943) dhe mos përfshirjes së Kosovës si subjekt i pavarur që deri atëherë ishte përfaqësuar përmes Malit të Zi në KAÇKJ-së.
Në këtë konferencë morën pjesë 49 delegatë që përfaqësonin popullin e Kosovës dhe forcat politike të rreshtuara te Fronti Antifashist Nacional-Çlirimtar i Kosovës. Konferenca shqyrtoi tri ditë radhazi problemet që dilnin nga lufta kundër pushtuesit. Ajo zgjodhi kryesinë prej 9 vetash: Mehmet Hoxha (kryetar) ish-prefekt i Elbasanit, Rifat Berisha (nënkryetar), Pavle Joviçeviq (nënkryetar), Xheladin Hana (anëtar), Fadil Hoxha (anëtar), Hajdar Dushi (anëtar), Zekeria Rexha (anëtar), Milan Zeçar (anëtar) dhe Ali Shukriu (anëtar).
Konferenca e Bujanit doli me një dokument përfundimtar, me rezolutë të miratuar në konferencë, ku thuhet: Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron të bashkohet me Shqipërinë. Formulimi i një qëndrimi të tillë, siç thoshte Hajdar Dushi, mbështetej në vetë deklaratat e Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe të KANÇ-it të Jugosllavisë, në të cilat njihej parimi i vetëvendosjes së popujve deri në shkëputje, parim bazë ky i Kartës së Atlantikut, i shpallur solemnisht nga aleatët e koalicionit antifashist.Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është një anë, e cila popullohet në pjesën më të madhe nga popullsia shqiptare, e cila, si gjithmonë, dëshiron edhe sot të bashkohet me Shqipërinë. Prandaj, e ndiejmë për detyrë ta vëmë në dukje rrugën e vërtet në të cilën duhet të ecë populli shqiptarë për të realizuar aspiratat e veta. Rruga e vetme për t’u bashkuar me Shqipërinë, për shqiptarët e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, është lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë.
Në vitin 1946, Tito ka deklaruar për agjencinë amerikane Associated Press se Kosova dhe territore të tjera shqiptare do t’i kthehen Shqipërisë. Udhëheqësi i ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito i ka premtuar Enver Hoxhës, në vitin 1946, se do t’i kthente Kosovën dhe territore të tjera shqiptare që ndodheshin në bashkimin jugosllav.
“Kreu i shtetit shqiptar, Enver Hoxha gjithmonë ka thënë se Tito i ka premtuar në fund të qershorit të vitit 1946, se Kosova dhe territore të tjera me shumicë shqiptare do të jenë pjesë e Shqipërisë. Megjithatë, këtyre deklaratave nuk u është dhënë rëndësi pasi marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit kanë qenë gjithnjë të tensionuara”, shkruan më tej gazeta serbe.