Protestat në Serbi, Videnoviq: Kaq masive s’janë parë që nga përmbysja e Millosheviqit
Intervista
Lexohet për: 3 min.
Videnoviq-281224
22 orë më parë
Linku u kopjua

Beogradi nuk ka parë protestë më masive që nga viti 2000, kur Sllobodan Millosheviq u përmbys nga pushteti. Kështu thotë profesori universitar në Beograd, Ivan Videnoviq, i cili flet për protestat në rrugët e kryeqendrës së Serbisë kundër Vuçiqit dhe qeverisë atje.

Në intervistën për KosovaPress, ai shprehet se ka krizë qeveritare dhe këto protesta nuk do të ndalen lehtë.

Të dielën e kaluar, mbi 100 mijë njerëz dolën në rrugë në një organizim të studentëve dhe sindikatave të fermerëve. Në këtë protestë u kërkua përgjegjësi për shembjen e çatisë së stacionit të trenit në Novi Sad, ku humbën jetën 15 njerëz.

Në vitin 2000 në Serbi u përmbys regjimi i Sllobodan Millosheviqit, që erdhi si pasojë e protestave në mbarë Serbinë.

Profesori nga Beogradi thotë se protesta kaq masive po organizohen edhe sot kundër presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

“Mendoj se Beogradi nuk ka parë një grumbullim kaq të madh njerëzish në protestë që nga tetori i vitit 2000, kur Millosheviq u përmbys nga pushteti. Kështu që, kjo është situata e vazhdueshme. Mendoj se kjo nuk do të ndalet shumë lehtë, dhe ka një krizë të madhe, krizë qeveritare në vend. Mendoj se presioni që po bëhet tani ndaj qeverisë ndoshta do të zgjidhet vetëm me një qeveri kalimtare, e cila do të përgatiste zgjedhje të drejta dhe demokratike brenda një periudhe të kufizuar kohe, do të organizonte zgjedhje të reja do të lehtësonte presionin, presionin e qeverisë mbi mediat, do të përdorte shërbimin publik sipas ligjit dhe do të ngarkonte dhe ngrinte akuza ndaj atyre që janë përgjegjës për këtë katastrofë në Novi Sad”, shton ai.

Në intervistën për KosovaPress, profesori Ivan Videnoviq përmend edhe sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, për çka thotë se përgjegjëse është Qeveria e Serbisë.

“Qeveria, do të thosha, qeverisja e Vuçiçit është mjaft e ngjashme me qeverisjen e Milosheviqit, do të thosha, në aspektin e vlerave kryesore të kësaj politike, të cilat janë nacionalizmi serb dhe ndërhyrja rajonale, përhapja rajonale e ideologjisë nacionaliste në formën e Botës Serbe, ose Srpski svet, siç e quajmë në serbisht. Pra, në thelb, baza e të gjithë kësaj, dhe madje njerëzit që janë të përfshirë në promovimin dhe mbështetjen e këtyre politikave, janë po ata njerëz që nga epoka e Millosheviqit. Pra, po, ajo që nuk shohim, për të qenë të sinqertë, nuk shohim ndërhyrje ushtarake nga ky regjim, përveç sulmit terrorist në Banjska, i cili është qartë i lidhur me qeverinë e Serbisë dhe strukturat ushtarake dhe të inteligjencës serbe”, shprehet ai në intervistën për KosovaPress.

Në Serbi tash e disa javë, protestuesit kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e Beogradit.

Në përpjekje për të penguar protestat, Qeveria e Serbisë ka zgjatur pushimet dimërore të shkollave duke i nisur ato gati një javë më herët.

Dhuna e herëpashershme ka përcjellur protestat, ndërkaq nga grupe pro-qeveritare ka pasur përpjekje për të penguar protestat.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024