Mbi 100 mijë votuesit e regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, do të mund të mund të votojnë më herët se qytetarët që votojnë brenda vendit më 9 shkurt 2025.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, varësisht se cilën mënyrë të votimit ka përzgjedhur votuesi jashtë Kosovës, është caktuar edhe periudha e votimit.
Në momentin e regjistrimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit: (1) të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës; (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë; apo (3) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një intervistë për KosovaPress, ka shpjeguar afatet e votimit për tri mënyrat e përcaktuara me ligj.“Votimi në përfaqësi diplomatike për shtetasit që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi do të zhvillohet më 8 shkurt 2025, pra një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. Votimi fillon në ora 07:00 dhe mbyllet në ora 19:00, sipas orës lokale të vendit përkatës. Numërimi i këtyre fletëvotimeve bëhet në Kosovë”, tha Elezi.
Për mënyrën e dytë të votimit përmes postës për votuesit që janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së, Elezi ka thënë se fillon më 9 janar dhe përfundon më 8 shkurt 2025.
Këtë informacion, KQZ ua ka transmetuar individualisht çdo shtetasi që ka aplikuar dhe është regjistruar për të votuar jashtë Kosovës.