Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve S.F., K.B., dhe E.Sh., të cilët gjenden nën masën e paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas aktakuzës, nga data e pavërtetuar e në vazhdimësi deri më datë 28 mars 2024 pas mesnatës, në Prizren, Xërxe dhe Gjakovë, të akuzuarit duke vepruar në grup, pa autorizim kanë blerë, shpërndarë dhe shitur në sasi të mëdha substanca narkotike të llojit “kokainë” të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë të ndaluar.
Lidhur me këtë rast, me datë 28 mars 2024, është kryer bastisje në shtëpinë e të akuzuarit E.Sh., në Gjakovë, me ç’rast janë gjetur dhe konfiskuar:
Dy qese plastike me substancë të llojit kokainë me peshë 147.78 gram, dy qese plastike me substancë të llojit kokainë me peshë 52.01 gram, një qese plastike me substancë të llojit kokainë me peshë 5.71 gram, një qese plastike me substancë të llojit kokainë me peshë 2.82, një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit “mariuhanë” në peshë prej 0.95 gram, një peshore digjitale ngjyrë e bardhë, një peshore digjitale ngjyrë e zezë, tri foli plastike, një rrollne alumini, dy shirita ngjitës.“Paralel me hetimet penale prokurori i shtetit ka zhvilluar edhe hetime financiare sipas Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara të Konfiskimit të Pasurisë, ashtu që për pasuritë të cilave nuk u dihet prejardhja, që janë një shtëpi me sipërfaqe 250m2 dhe trualli në sipërfaqe 421m2 e cila gjendet në Prizren, dhe një automjet i markës ‘Mercedes’, pronë e të pandehurit K.B., në mungesë të procedurave të detajuara dhe të pamjaftueshme në Kodin e Procedurës Penale, për këto pasuri do të ndiqen rrugët ligjore të përcaktuara në LKZK”, thuhet tutje.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.