Rusia sulmon Ukrainën edhe gjatë Krishtlindjes
Bota
Lexohet për: 2 min.
Rusia sulmon Ukrainën edhe gjatë Krishtlindjes
2 ditë më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky deklaroi sot se Rusia sulmoi sistemin energjetik ukrainas dhe disa qytete me raketa balistike dhe drone të mërkurën në një sulm çnjerëzor në ditën e Krishtlindjes.

Sulmet plagosën të paktën gjashtë persona në Kharkiv dhe vranë një në Dnipropetrovsk. Gjysmë milion njerëz në Kharkiv kanë mbetur pa ngrohje, në temperatura vetëm disa gradë Celsius mbi zero, ndërsa ka pasur ndërprerje në kryeqytetin Kiev dhe gjetkë.

"Sot, Putin zgjodhi qëllimisht Krishtlindjet për të sulmuar. Çfarë mund të ishte më çnjerëzore? Më shumë se 70 raketa, duke përfshirë raketa balistike dhe më shumë se njëqind drone sulmuese," tha Zelensky.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë konfirmoi se kishte kryer një "sulm masiv" në objekte kritike të energjisë që mbështesin punën e "kompleksit ushtarako-industrial" të Kievit.

"Qëllimi i goditjes u arrit. Të gjitha objektet janë goditur," thuhet në një deklaratë.

Ushtria e Ukrainës tha se mbrojtja ajrore e saj rrëzoi 59 raketa ruse dhe 54 dronë.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Kharkiv u sulmua me raketa balistike. Guvernatori rajonal Oleh Syniehubov tha në Telegram se kishte dëmtime në infrastrukturën civile jo-rezidenciale, pa dhënë më shumë detaje.

Guvernatori i Dnipropetrovsk Serhiy Lysak tha se fataliteti ndodhi në një sulm në objektet rajonale të energjisë.

"Që në mëngjes, ushtria ruse ka sulmuar në mënyrë masive rajonin Dnipro. Ajo po përpiqet të shkatërrojë sistemin energjetik të rajonit," tha ai.

Ministri i Energjisë German Galushchenko shkroi në Facebook se Rusia po sulmonte në mënyrë masive sektorin e energjisë dhe se kufizimet në furnizimin me energji elektrike ishin në fuqi.

Ukrainasit po shënonin Krishtlindjet e tyre të dyta të mërkurën, sipas një kalendari të ri në një hap tjetër drejt largimit nga ndikimi rus. Shumica e ukrainasve janë të krishterë ortodoksë dhe Kisha e pavarur Ortodokse e Ukrainës, e krijuar në vitin 2018, ranë dakord në vitin 2023 për t'u larguar nga kalendari tradicional Julian i përdorur në Rusi, ku Krishtlindja shënohet më 7 janar.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024