Federata e Futbollit të Kosovës ka ndarë çmimin “Ylli i Javës” për xhiron e 18-të në Albi Mall Superligë. Ky çmim i është ndarë futbollistit të Dritës, Rron Broja.
Broja shënoi golin e barazimit dhe asistoi në golin e fitores për ekipin e tij në ndeshjen kundër FC Feronikeli 74, që përfundoi me rezultatin 2:1. Kapiteni Broja gjatë tërë ndeshjes, ashtu si edhe gjatë tërë këtij stinori, ka treguar një karakter të lartë, duke e udhëhequr skuadrën e tij drejt kreut të tabelës. Aktualisht skuadra e Brojës ndodhet në pozitat e para tabelare, me gjithsej 40 pikë të grumbulluara.
Për mua është nder dhe privilegj të jem kapiten i FC Dritës, ku dihet që presioni është shumë i madh, sepse çdo vit luajmë për trofe, mirëpo mundohemi që, bashkë me gjithë ekipin, t’i arrijmë synimet tona me shumë punë. E kemi përgatitur ndeshjen shumë mirë, sepse dihet forma e lartë e Feronikelit 74 në ndeshjet e fundit dhe goli i parë që pranuam në minutat e para të ndeshjes na vështirësoi punën, sepse gjithmonë është më vështirë ta rikthesh rezultatin. Por treguam karakter të lartë, dhe e gjithë ekipa dha maksimumin, çka na u shpërblye me 3 pikë të reja për skuadrën tonë. Falënderoj Federatën e Futbollit të Kosovës që më shpallën “Yllin e Javës”, bashkëlojtarët dhe stafin e klubit Drita, sepse pa ta nuk do të ishte e mundur.” – tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.