Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, mblodhi institucione, partner e miq nga vendi, rajoni e bota, për të shënuar përmbylljen e vitit 2024.
Kryetari Skender Krasniqi, ka thënë se edhe ky vit ishte me shumë aktivitete që Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka pasur me të gjithë, përfshirë institucionet në nivel qendror dhe lokal, dhe bizneset.
Para të pranishmëve, ai përmendi kërkesat kryesore të Dhomës për vitin që po vjen.
“Përkrahja me 10% e prodhimeve vendore në blerje në markete; Përkrahje me 10% në eksport për prodhimet tona; Përmirësimi i politikave fiskale si pagesa e TVSH-së në inkasim dhe brenda vendit e jo në Doganë; Krijimi i produkteve strategjike në bujqësi dhe riorientimi i granteve dhe subvencioneve; Krijimi i një strategjie reale të zhvillimit ekonomik, e cila i mungon Qeverisë në orientimin e investimit të bizneseve e shumë e shumë të tjera; Ndryshimin e Ligjit për Tregti të Brendshme dhe Ligjin e punës; Ndryshimin e Ligjit mbi Prona që i ka mbyllë me dhjetëra biznese dhe duke i lënë në rrugë qindra punëtorë. Nga ajo që kemi parë është se ne dhe vetëm ne jemi zgjidhja e problemeve të mëdha të shkaktuara nga ligjet e ndryshme të marra nga vendet e ndryshme pa i analizuar me gjendjen tonë. Ne si biznese jemi duke vazhduar të përballemi edhe me shumë sfida si; Mungesën e punëtorëve dhe mungesën e kualifikuar të punëtorëve. Për këtë, rritja e jonë si numër, rritja e buxhetit tonë të përbashkët, rritja e kontributit tonë, është zgjidhja e vetme e tejkalimit të këtyre sfidave. Sukseset pra nuk ndodhin rastësisht. Nuk kanë ndodhë në biznese tona as nuk do të ndodhin në shtet. Të gjitha këto mund të realizohen me bashkëpunimin tonë më të madh”, tha Krasniqi.Ai ka thënë se bashkëpunimi i dyanshëm, ka sjellë edhe nevojën për rritjen e buxheti, që për vitin e ardhshëm do të jetë më i madh.
Gjithashtu, ka përmendur edhe marrëveshjen e fundit mes KIESA-s dhe DhTIK-së për organizimin e një sesioni informues për bizneset rreth mënyrës së aplikimit për grante e pjesëmarrje në panaire.
Nga ana tjetër, koordinatori i Dhomës, Kushtrim Ahmeti, ka ndarë me të pranishmit aktivitetet kryesore gjatë këtij viti, nga të cilat falë angazhimit, kanë arritur të zgjidhen numër i madh i problemeve.
Gjithashtu, ai ka falënderuar mediat dhe gazetarët për korrektësinë dhe bashkëpunimin përgjatë këtij viti.
Në shenjë falënderimi për mbështetjen dhe bashkëpunimin, DhTIK u ka ndarë mirënjohje të gjitha bizneseve anëtare.