Marrëveshja në Bruksel, reagon Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Marrëveshja në Bruksel, reagon Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur
Foto Ilustruese
1 javë më parë
Linku u kopjua

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka thënë se sot në Bruksel në takimin e kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur. Ky Komision ka thekson se është një hap i rëndësishëm për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Pas tre vitesh dialog, bisedimesh të vazhdueshme dhe tendencave të pajustifikueshme për zvarritje nga ana e Serbisë, sot në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur. Ky hap përbën një moment të rëndësishëm në adresimin e shqetësimeve tona lidhur me këtë çështje kaq të ndjeshme dhe të rëndësishme për familjet dhe shoqërinë tone”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se Komisioni i Përbashkët, i kryesuar nga Bashkimi Evropian, do të jetë trupa më e lartë që do të ketë përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit efektiv dhe në plotësi të Deklaratës së Personave të Zhdukur.

“Njëkohësisht, do të shërbejë si platformë, ku më në fund do të mund të adresojmë të gjitha shqetësimet tona sa i përket ngecjeve në proces dhe mosadresimit adekuat të këtyre ngecjeve apo pengesave; përfshirë këtu mungesën e bashkëpunimit të Serbisë në Grupin Punues dhe refuzimin për të hapur arkivat përkatëse”, thuhet në njoftim.

Në fund thuhet se: “Shpresojmë që ky hap të shërbejë si një moment përparimi drejt zgjidhjes përfundimtare dhe të shumë vonuar të fatit të personave të zhdukur dhe lehtësimit të dhimbjes së familjeve të tyre, të cilat për shumë kohë kanë pritur drejtësi dhe të vërtetën”.

Nga lufta në Kosovë janë më shumë se 1 mijë e 600 persona të zhdukur.

https://kosovapress.com/kosova-i-kerkon-serbia-ti-ekstradoje-krimineleve-dhe-te-dhenat-per-te-zhdukurit

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024