Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përgëzuar homologun e tij nga Gjeorgjia Mikhail Kavelashvili, i cili sot u zgjodh në këtë post si kandidat i vetëm, në mesin e protestave dhe kundërshtimeve të krahut pro-evropian, për shkak të afrimit të Tbilisit zyrtar me Rusinë dhe tërheqjes nga Bashkimi Evropian.
Vuçiq ka siguruar Kavelashvili, një kritik i ashpër i Perëndimit, se Serbia do të jetë “një partner dhe mik i besueshëm i Gjeorgjisë në përpjekjet e përbashkëta për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim”.
Kandidati i vetëm i nominuar, një ish-anëtar i partisë në pushtet dhe ish-futbollist i Manchester Cityt (1996-1999) u zgjodh sot nga Parlamenti i Gjeorgjisë për president.
Presidentët e Gjeorgjisë zgjidhen nga një kolegj zgjedhor i përbërë nga parlamentarë dhe përfaqësues të autoriteteve lokale. Nga 225 elektorë të pranishëm, 224 prej tyre votuan për Kavelishvilin.Gjeorgjia, vend ky në Kaukazin Jugor me 3.7 milionë banorë, ka të shkruar në Kushtetutën e saj anëtarësimin e vendit në BE dhe është më pro-perëndimorja nga të gjitha ish-republikat sovjetike.
BE-ja i dha Gjeorgjisë statusin e kandidatit në dhjetor 2023, por ka kritikuar disa ligje të shtyra nga Ëndrra Gjeorgjiane, duke përfshirë atë që kërkon që organizatat që marrin mbi 20 për qind të financimit të tyre nga jashtë të regjistrohen si "agjente të ndikimit të huaj" dhe një ligj mbi të drejtat LGBTQ që Brukseli i konsideron autoritare dhe të frymëzuara nga Rusia.
53-vjeçari hyri në politikë në vitin 2016, duke u bërë deputet i partisë Ëndrra Gjeorgjiane. Ai u largua nga partia në vitin 2022 dhe ishte bashkëthemelues i partisë së ekstremit të djathtë Narodna Shakta, të cilën shumë e konsiderojnë një satelit të Ëndrrës Gjeorgjiane.
Më 1 dhjetor, SHBA-ja njoftoi se po i jep fund partneritetit strategjik me Gjeorgjinë për shkak të vendimit rreth shtyrjes së anëtarësimit të vendit në BE deri më 2028.
Mbi 400 persona janë arrestuar qe nga fillimi i protestave në fund të nëntorit, pasi qeveria njoftoi se do të shtyjë hyrjen në BE. Ambasadori i BE-së në Gjeorgji tha këtë javë se trajtimi policor ndaj protestuesve ishte i papranueshëm dhe mund të shkaktonte sanksione nga Brukseli.