Shoqata e artistëve të dramës së Serbisë ka ftuar sot të gjithë anëtarët të bëjnë homazhe për viktimat e shembjes së strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit dhe të mbështesin protestat e studentëve.
Thirrja pasoi një protestë masive mbrëmë, kur një numër i madh studentësh bllokuan rrugën dhe trafikun para Radio-Televizionit të Serbisë dhe kërkuan informacion objektiv nga shërbimi publik për arsyet e bllokadës aktuale të fakultetit.
Studentët kërkojnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rinovimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku 15 persona humbën jetën dhe dy u plagosën rëndë, pas shembjes së strehës më 1 nëntor.
Studentët gjithashtu kërkojnë që provokatorët dhe banditë që sulmuan studentët dhe pjesëmarrësit e protestave të mëparshme gjatë nderimit paqësor të viktimave në Novi Sad të ndiqen penalisht dhe të lirohen aktivistët dhe protestuesit e arrestuar në ato tubime përkujtimore.Nëse kërkesat e studentëve nuk plotësohen deri më 21 dhjetor, aktorët njoftuan se do të ftojnë kolegët e tyre “të ndërmarrin hapa të mëtejshëm”.
“Besojmë se mbështetja jonë publike dhe e pa rezervë për studentët duhet të zgjasë deri në plotësimin e kërkesave të tyre - pra deri në përfundimin e bllokadave”, thanë nga shoqata.