Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka reaguar ndaj Partisë Demokratike të Kosovës(PDK) se 20 ligjet e miratuara të enjten e kaluar në seancën e Kuvendit do t’i dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese. Bislimi thekson se me këtë veprim të PDK-së 'dëshmohet qartë që jo vetëm se ky është mjet i tyre për të tentuar ndalimin e hovit të avancimit dhe zhvillimit të shtetit, por edhe se ndihen të kërcënuar nga një shtet që zhvillohet e bën progres’.
Sipas Bislimit në mesin e 20 ligjeve të miratuara më 5 dhjetor, janë edhe tre ligje kyçe për zhvillimin financiar të vendit, të cilat i hapin rrugën anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave Evropiane (SEPA).
Sipas tij, anëtarësimi në SEPA do të sjellë dhe një ulje të kostos së pagesave ndërkufitare deri në 55 milionë euro në vit.
“Ç'ka ka të bëjë me transparencë financiare, e pengon PDK-në. Ç'ka ka të bëjë me ulje të kostos për bizneset dhe qytetarët e pengon PDK-në. Ç'ka ka të bëjë me avancim të shtetit, e pengon PDK-në”, shkruan Bislimi.
Kuvendi i Kosovës në seancën e fundit ka miratuar Ligjin për bankat, Ligjin për shërbimet e pagesave dhe Ligjn për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e terrorizmit. Bilslimi pati reaguar duke thënë se Kuvendi i Kosovës i ka hapur rrugë anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave Evropiane (SEPA).