Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka dhënë detaje lidhur me debatin për kontratat e negociuara, me theks të veçantë kontratat e energjisë elektrike, sektorit të mbrojtjes dhe arsimit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja në një konferencë për media, tha se numri i kontratave të negociuara ka shënuar rënie të dukshme gjatë qeverisjes Kurti, krahasuar me vitet e tjera.
Ai tha se edhe për nga vlera, ministritë deri në fund të muajit tetor, ka nënshkruar 11 milionë euro kontrata, trefish më pak se në vitin 2019.
Gjatë konferencës, Muja potencoi se krahasuar më vitet e kaluara kur në pushtet ishin partitë e tjera, ka rënë dukshëm importi dhe eksporti i energjisë elektrike nga Serbia.
Muja tregoi se nga viti 2013 deri në vitin 2023, Kosova ka eksportuar rreth 250 milionë euro energji elektrike.
Deputeti tjetër i VV-së, Enver Haliti tha se kontratat njëburimore i ka quajtur propaganda të partive opozitare dhe analistëve që përkrahin këto të fundit.
Ai tha se nga viti 2021 deri tani rreth 43 për qind e kontratave të negociuara, janë në kuadër të komunave të Kosovës.
Sipas tij, komunat që prijnë me këto kontrata dhe se po shënojnë rritje janë Prishtina, Malisheva, Gjakova dhe Ferizaj.
Haliti tha se komunat kanë rreth 165 kontrata me negocim, derisa te qeveria dhe ministritë ka shënuar rënie.
“Nga të gjitha kontratat e negociuara që nga viti 2021 deri në vitin 2024, diku 43 % janë nga komunat e Republikës së Kosovës. Janë 38 komuna dhe publiku e din se nga kush udhëhiqen këto komuna, nga cilat parti politike. Trendi në vitin 2024 te komunat është prapë në rritje, vetëm në vitin 2024 deri tani kemi diku 160 kontrata me negocim nga komunat e Kosovës, derisa nga Qeveria dhe ministritë, ky trend është në rënie, është nën 60 kontrata, çka do të thotë se trendi në raport me institucionet qendrore është në rënie, ndërsa te komunat po vazhdon të rritet. Në vitin 2024 te komunat prin në 4 komunat që prin janë komuna e Prishtinës, që udhëhiqet nga LDK, komuna e Gjakovës që udhëhiqet nga AAK, është Komuna e Malishevës që udhëhiqet nga Nisma dhe është komuna e Ferizajt që udhëhiqet nga PDK”, tha Haliti.
Ai dha detaje edhe për kontratat në Ministrinë e Brendshme.
“Ndërsa sa i përket ministrive ku ka qen debat i opozitës, e kemi thënë se që nga viti 2021 deri në vitin 2024, ato kontrata që janë nënshkruar me negocim kanë të bëjnë me furnizimin me pasaporta, blerjen e mikrosoftit për administratën publike që janë qenë të pamundura që të prokurohen në mënyra tjera. Ndërsa, te Ministria e Bujqësisë”, tha ai.
Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes është kritikuar për ushqim, por theksoi se kontratat joburimore për ushqime ka shëndrruar në kontrata për blerjen e armatimit.