Caktohet data e zgjedhjeve në Shqipëri
Rajoni
Lexohet për: 2 min.
shqiperia BE
3 javë më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj sot nxori dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare më 11 maj 2025. 

Për këto zgjedhje, presidenti kishte në dispozicion katër ditë të diela midis datave 15 prill dhe 15 maj 2025, njofton Zyra e Presidentit.

Shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, me qëllim që të bëhet i mundur votimi i suksesshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit.

Të gjitha forcat politike kanë shprehur publikisht vendosmërinë për të ndihmuar këtë proces dhe për t’ia nënshtruar caktimin e datës së zgjedhjeve këtij interesi prioritar. Presidenti i Republikës bashkohet plotësisht dhe e respekton pa mëdyshje këtë vullnet, thekson Presidenca.

Partia Demokratike dhe një pjesë e konsiderueshme e partive parlamentare i paraqitën presidentit Begaj shqetësimin se planifikimi i Samitit të 6-të të Komitetit Politik Evropian për 8 dhe 9 maj 2025, dy ditë para datës së fundit të mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve, krijon avantazh të papranueshëm për qeverinë, si dhe cenon ndjeshëm parimin e barazisë së armëve që kërkon Kodi Zgjedhor për fushatën zgjedhore.

Për këtë arsye, presidenti Begaj, pasi bëri të gjitha verifikimet e nevojshme me autoritetet kompetente të Shqipërisë, mori zyrtarisht sigurimet se aktiviteti i mësipërm do të zhvillohet pas zgjedhjeve parlamentare, fakt ky i konfirmuar për presidentin edhe nga interlokutorët ndërkombëtarë, thuhet në komunikatë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024