Universiteti i Gjakovës me buxhetin më të lartë për student, ai i Prizrenit në fund
Lajme
Lexohet për: 5 min.
Universiteti i Gjakovës me buxhetin më të lartë për studentë, ai i Prizrenit në fund
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” ka më së shumti buxhet për kokë studenti mbi 6 mijë euro, pasuar nga Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” me mbi 2 mijë euro për student, ndërsa i fundit në këtë renditje është ai i Prizrenit me mbi 900 euro, sipas raporteve “Transparenca Financiare e Universiteteve Publike 2023” dhe “Profilet e universiteteve publike të Kosovës” nga Higher Education Intervention 2025 (HEI’25).

Drejtori i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Rron Gjinovci ka bërë të ditur se 62 për qind e buxhetit total të universiteteve publike në Kosovë shpenzohen për paga dhe mëditje, ndërsa vetëm 18 për qind në shpenzime kapitale. Ai potencoi se universiteti i Gjakovës ka buxhet gati sa të gjitha universitetet e tjera publike në Kosovë për kokë studenti.

"97 për qind e buxhetit të universiteteve publike që konsiston në 52 milionë e 324 mijë e 266 euro financohet prej granteve qeveritare. 62 për qind e këtij buxhetit total shkon për paga dhe mëditje, ndërkaq 18 për qind në shpenzime kapitale. Paga mesatare mujore për stafin menaxherial në vitin 2023 ka qenë 1 mijë e 834 euro, ku 566 euro kanë qenë shtesa të ndryshme. Çuditërisht, Universiteti i Gjakovës i ka 6 mijë e 519 euro për student, ndërsa Universiteti i Prizrenit ka më së paku buxhet për kokë studenti, me vetëm 965 euro për student. Universiteti i Prishtinës e ka buxhetin më të madhin, kjo dihet. 62 për qind të totalit të buxhetit të ndarë për arsimin e lartë, i dyti pas tij është Universiteti i Pejës me vetëm 9 për qind dhe vazhdojnë të tjerët...Buxhet për kokë studenti ka më së shumti Gjakova me 6 mijë e 519 për kokë studenti, e pasuar nga Mitrovica me 2 mijë e 100 dhe të tjera që shkojnë teposhtë me në fund Prizrenin. Pra, Gjakova vetëm ka pothuajse sa gjashtë universitete tjerë publike buxhet në raport me kokë studenti”, tha Gjinovci.

Në kuadër të publikimit të këtij raporti, është diskutuar edhe për numrin e publikime shkencore nga universitetet në Kosovë.

"Për Kosovën si shtet është shumë më rëndësi edhe rritja e produktit shkencor vetëm si numër. Ne po dalim shumë keq në krahasim me gjithë botën kur po dalin të dhënat e Web of Science. Për shembull sa punime për 10 mijë banorë. Mali i Zi po na kalon, i ka vetëm 600 mijë banorë. Sa janë shanset që në Mal të Zi ka më shumë shkencëtar që prodhojnë më shumë shkencë për 10 mijë banorë sesa në një vend që i ka dy milionë. Mali i Zi ka sa Shqipëria dhe Kosova bashkë", potencoi Gjinovci.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Arben Hajrullahu tha se kjo ndodh për shkaqe teknike, pasi profesorët nuk mund të publikojnë në emër të shtetit të Kosovës, por vetëm me atë të Serbisë.

"Nuk po besoj që Mali i Zi janë më produktiv në aspektin e publikimeve se ne, por duhet të ketë të bëjë me pamundësinë që Kosova t'i regjistrojë si publikime të Kosovës. Unë besoj që është nevojë shumë e madhe, sepse të gjitha institucionet e arsimit të lartë t'i përzgjedhin dy apo tri profilizime në aspektin përmbajtjesor", tha Hajrullahu.

Lidhur me këtë, Gjinovci theksoi se universitete publike në Kosovë duhet të kërkojnë që të rritet fondi për shkencë.

Ndërkaq, rektori i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, Artan Dermaku përmendi se për të arritur rangim më të lartë në këtë aspekt duhen mjete financiare, mësimdhënës të kualifikuar dhe hapësira për punë.

"Për të pasur rangim të mirë dhe të arritur të lartë duhet të ketë mjete financiare, pika e parë. E dyta duhet të ketë mësimdhënës të kualifikuar, me të vërtetë të kualifikuar që unë mendoj që të gjithë së bashku, shteti dhe shoqëritë civile do të kishte qenë mirë ta bëjnë një lloj validititmi të mësimdhënësve që veçse kanë filluar një kohë pastaj janë ndërprerë...Dhe e treta kuptohet duhet të jenë vendi dhe hapësirat ku punojnë", theksoi Dermaku.

Përveç tjerash, rektori i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Mentor Alishani ngriti shqetësimin për pasojat nga domeni i email-ve zyrtare. Ai tha se pavarësisht përpjekjeve, profesorët në këtë universitet, i publikojnë punimet me domenin “com”, për çka tha se kjo po i penalizon.

"Ne po e vuajmë pasojën e domenit të email-ave zyrtare që i kemi në universitet. Kemi tentuar brenda universitetit me kolegët tanë ta bëjmë një zgjidhje, por sipas tyre thuhet që është e pamundur për momentin. Aktualisht në Kosovë, vetëm Universiteti i Prishtinës mban me domen 'edu' ne të tjerët, për shembull Prizreni e kemi me 'com', që i bie komercial, dikush e ka me 'net'. Nëse hap një profil në Google Scholar dhe mundesh at regjistrosh aty vetën, nëse krahasojmë një profesor të UP-së me të Prizrenit, automatikisht gjenerohet linku që klikon dhe futesh direkt në profilin e profesorit. Ne po duhet të kthehemi në ueb-faqe të universitetit", u shpreh Alishani.

Në këtë raport të publikuar thuhet se universiteti me buxhetin më të vogël për kokë studenti është ai Prizrenit me 965 euro.

Universiteti me më shumë fonde për program studimi është Universiteti Gjakovës me 358 mijë e 539 euro për program. Ky universitet në vitin 2023 ka marrë më shumë fonde për program studimi me akreditim. Ndërkaq, Universiteti i Prizrenit ka marrë më së paku. Projekti “HEI25” është i mbështetur nga Austrian Development Coorperation në Kosovë. 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024