Pak muaj para zgjedhjeve parlamentare në vend, partitë politike - në pushtet e opozitë - po zhvillojnë betejë të ashpër me akuza e kundër akuza për çështje të ndryshme. Organizatat jo-qeveritare në vend po u kërkojnë deputetëve që të përmbahen nga gjuha denigruese gjatë seancave plenare në Kuvendin e Kosovës.
Në partinë në pushtet - Lëvizjen Vetëvendosje, thonë se partitë opozitare përmes akuzave dhe siç konsiderojnë ata shpifjeve, kanë zgjedhur “rrugën e gabuar” për të bërë fushatë për zgjedhjet e 9 shkurtit. Në anën tjetër, partitë opozitare thonë se ashpërsia e gjuhës vjen nga pushteti dhe sipas tyre mazhoranca “nuk mund të mbrohet” nga ato që opozita i quan skandale dhe korrupsion.
Fjalori në parlament është ashpërsuar sidomos pas publikimit në media të bisedave në të cilat është përfshirë shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, terroristin Millan Radoiçiq.
Mirëpo, një gjë të tillë e mohon deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa i cili thotë se opozita po përdorë mekanizmat demokratik për të dëshmuar “keq-menaxhimin e qeverisë, bashkëpunimin me Listën Serbe” dhe siç thotë ai, aferat korruptive.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi thotë se kohëve të fundit nuk ka pasur fyerje dhe sharje por vetëm paraqitje e “realitetit të aferave dhe skandaleve të pushtetit”.