Federatat kthejnë vëmendjen te grupmoshat e reja
Tema
Lexohet për: 2 min.
Basketbolli
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Përkushtimi dhe investimi te grupmoshat e reja shihet si rruga e vetme që garanton të ardhmen e ndritur të sportit të Kosovës. Në këtë pikë tashmë është rritur edhe përkushtimi i federatave sportive në Kosovës që përtej aspektit sportiv dhe pjesëmarrjes në gara të ndryshme, ato ndajnë edhe buxhet të veçantë për të rinjtë.

Drejtues të federatave sportive në Kosovë kanë bërë të ditur se ato ndajnë buxhet të posaçëm për këtë kategori. Sekretarja e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, ka thënë për KosovaPress, se vetëm për vitin 2023, kjo federata ka ndarë mbi dy milionë euro për grupmoshat e reja.

“Në aspektin e shifrave, nëse duam ta dimë sesa investon Federata e Basketbollit tek gjeneratat e reja, për vitin 2023 buxheti është paraparë dy milionë e 270 mijë euro në tërësi, ndërsa për gjeneratat e reja është 21 përqind që do të thotë është 468 mijë euro...Unë besoj që me programin afatgjatë kjo përqindje do të rritet dukshëm në vitin 2025 duke pasur parasysh që tek programi afatgjatë, ai program është program zhvillimor, do të thotë se fokusi është te gjeneratat e reja edhe tek zhvillimi i trajnerëve e infrastruktura kështu që për ne prioritet zhvillimi dhe puna me gjeneratat e reja”, tha Dushku.

Kurse në Federatën e Volejbollit, përveç buxhetit, krijohen edhe programe të veçanta duke nisur që nga shkollat fillore. Kështu ka deklaruar sekretari i kësaj federate, Valon Nikqi.

Në të njëjtën linjë po punohet edhe në Federatën e Karatesë. Avni Gashi, sekretar i kësaj federate, megjithëse nuk përmend shifra, thotë se kjo federatë shpenzon shumë mjete për këto kategori.

Ndryshe, buxheti i federatave sportive në Kosovë përcaktohet varësisht nga aktiviteti në gara vendore dhe ndërkombëtare që përcaktohet nga Ministria e Sportit në procesin e kategorizimit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024