Shtatori ishte muaji më i përgjakshëm për Rusinë qe nga fillimi i luftës në Ukrainë, tha një zyrtar i Pentagonit.
Pentagoni vlerëson se Rusia ka pësuar më shumë se 600 mijë viktima – 115 mijë të vrarë dhe 500 mijë të plagosur qe nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022.
"Forcat ruse kanë pësuar më shumë viktima, ose të vrarë ose të plagosur, në këtë muaj se në çdo muaj tjetër të luftës. Humbjet e Rusisë, si në të vrarë ashtu edhe në të plagosur, në vitin e parë të luftës tejkaluan numrin total të të gjitha humbjeve ruse apo sovjetike në çdo konflikt që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha një zyrtar amerikan për bilancin e të vrarëve.
Vlerësimet e fundit nga Ministria britanike e Mbrojtjes thonë se Rusia humbi mbi 38 mijë ushtarë në shtator, me një mesatare 1 mijë e 271 në ditë. Zyrtarët amerikanë thonë se humbjet e mëdha janë rezultat i një lufte rrënimi, në të cilën të dyja palët përpiqen të lodhin njëra-tjetrën duke shkaktuar dëme maksimale.Vlerësimet amerikane tregojnë se Ukraina ka pësuar më shumë se 57 mijë e 500 të vrarë dhe 250 mijë të plagosur qe nga fillimi i luftës. Kievi po përpiqet të zgjidhë problemet me mungesën e ushtarëve duke futur ligje të reja, shpesh të diskutueshme, mbi mobilizimin.
Presidenti rus Vladimir Putin deri më tani ka shmangur një mobilizim të ri masiv të popullsisë, pasi do të ishte shumë jopopullor. Në vend të kësaj, Moska ofron shpërblime të mëdha financiare - ndonjëherë deri në pesë herë më shumë se paga vjetore në Rusi - për të tërhequr vullnetarë.
"Tërheqja e luftëtarëve të huaj me stimuj financiarë dhe premtimin e shtetësisë pas angazhimit luftarak në Ukrainë është një opsion politikisht tërheqës për Moskën," tha për Newsweek, Mark Cancian, një kolonel në pension i Trupave Detare të SHBA-së.
“Ata e kompensojnë pjesërisht duke tërhequr shtetas të huaj”, shtoi ai.
"Një mobilizim si ai i vjeshtës 2022 do të kishte një ndikim të madh në reputacionin e Putin në Rusi," tha Andrii Ziuz, ish-drejtor i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës.
Mercenarët, si grupi Wagner, luajtën një rol kyç në luftimet e mëparshme në luftë, veçanërisht në kapjen e qytetit ukrainas Bakhmut në maj 2023. Në qershor 2023, Wagner u rebelua kundër Moskës dhe kreu i këtij grupi paraushtarak, Yevgeny Prigozhin vdiq në një aksident të dyshimtë avioni në Rusi.
"Grupi tani është shpërndarë kryesisht, ende i pranishëm, por nën udhëheqjen e re. Grupet e ndryshme ushtarake private janë tani nën kontroll më të rreptë. Ata janë më pak të spikatur tani që Wagner është nën kontroll. Ata nuk janë më aq të dukshëm dhe mendoj se edhe numri i tyre ka rënë”, tha Mark Cancian.
“Sa më të varfër të jenë banorët e një rajoni, aq më shumë i prek mobilizimi”, thonë gazetarët. "Rekrutimi deri tani ka shënjestruar kryesisht familjet më të varfra dhe pakicat etnike. Njerëzit janë kundër tij, por qeveria ruse deri më tani ka shtypur me sukses çdo destabilitet me masa të forta represioni," tha Freer.
Megjithatë, ndërsa bilanci i të vrarëve rritet, Freer paralajmëron se Kremlini së shpejti mund të detyrohet të kërkojë grupe të reja rekrutimi, të cilat mund të shkaktojnë rezistencë më serioze politike.