Rreth 1 mijë e 500 persona janë diagnostikuar me kancer në nëntëmujorin e këtij viti, duke shënuar një rritje prej më shumë se pesë për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Po ashtu, numri i të rinjve të prekur nga kjo sëmundje malinje ka shënuar rritje. Kanceri i gjirit mbetet më i përhapuri te femrat, ndërsa ai i mushkërive vazhdon të dominojë te meshkujt.
Kështu thotë drejtori i Klinikës së Onkologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ilir Kurtishi në një intervistë për KosovaPress.
Kurtishi tregon se nga muaji janar deri në gjysmën e muajit shtator janë regjistruar mbi 300 raste të reja me kancer të gjirit te femrat.
Përveç këtyre, Kurtishi tregon se pritet që objektit të Klinikës së Onkologjisë t’i shtohet edhe një kat tjetër, për të rritur gamën e shërbimeve. Po ashtu, ai thotë se pritet që vitin e ardhshëm të pajisen edhe me një aparat të ri për rrezatim.