Kërcënimi që vjen nga lajmet e rreme dhe dezinformatat është global dhe prek secilin në shoqëri.
Kështu u tha sot në Mitrovicë, gjatë trajnimit me mësimdhënës dhe nxënës të nivelit të mesëm shkollor, me temën ‘Keqinformimi, dezinformimi dhe informimi keqdashës’, në kuadër të projektit ‘Edukimi mediatik për mësimdhënësit dhe nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian’.
Linda Baleta, trajnere në këtë projekt, ka bërë të ditur për KosovaPress, se tema e trajtuar sot është shumë e rëndësishme për secilin individë, sepse kërcënimi që po i kanoset shoqërisë njerëzore nga dezinformimi prek secilin individë njëjtë.
Sipas saj, trajnimet e tilla janë të domosdoshme për të gjitha grupmoshat, në veçanti për të rinjtë.Hamide Hyseni nga komuniteti ashkali, nxënëse e klasës së 11-të në gjimnazin ‘Frang Bardhi’, në Mitrovicë, duke thënë se dezinformimi i prek të gjithë pa dallim, potencoi se të rinjtë kanë nevojë të madhe për trajnime të tilla.
‘Trajnime të tilla janë të nevojshme për shkak se këso materiali nuk paraqitet nëpër shkolla, mirëpo veç tekste shkollore. Vet si adoleshentë dhe të rinj kemi nevojë për trajnime të tilla të cilat ngrisin kapacitetin tonë nëpër fusha të ndryshme, na japin njohuri për qasje të ndryshme dhe për gjërat që na nevojiten në jetën tonë,..Dezinformimi i prek të gjithë, jo vetëm një pjesë të grupit të caktuar’, theksoi Hyseni.
Ndryshe, ky projekt shtatëmujor, ku synohet ngritja e vetëdijes të komuniteteve kundër dezinformimit, si dhe fuqizimi i rolit të aktivistëve të shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian, është organizuar nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress, së bashku me organizatën joqeveritare ‘Young Community Leaders Center’ (YCLC).