Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka pritur në takim Nuno Castel, përgjegjësin e Konventës së Referëve për Kosovën, të deleguar nga UEFA. Vizita ka përbërë një moment të rëndësishëm për zhvillimin dhe avancimin e e referimit, si dhe reflektoi në përkushtimin që UEFA ka për ngritjen e gjyqtarëve kosovarë për forcimin e standardeve në futboll.
Gjatë takimit janë zhvilluar diskutime rreth sfidave, objektivave dhe perspektivës së referimit në Kosovë, ku Ademi i referohet përvojës së Castel si një vlerë e madhe për sistemin e referimit në vendin tonë, kurse për mbështetjen e UEFA-s thekson se mbetet thelbësore në rrugëtimin drejt rritjes së cilësisë në çdo nivel të garave.
Tutje Ademi, në postimin e tij në faqen zyrtare tregon se është shprehur i gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin për avancimin e referimit kosovar dhe krijimit të më shumë mundësive për gjyqtarët në arenën ndërkombëtare.
“Me këtë rast, Nuno Castel i shpreha gatishmërinë time dhe të Federatës së Futbollit të Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë në funksion të avancimit të referimit kosovar dhe krijimit të më shumë mundësive për gjyqtarët tanë në arenën ndërkombëtare” – shkroi Ademi.