Grupi i skuadrave të futbollit të pakënaqura me rizgjedhjen e Agim Ademit në krye të FFK-së, kanë paralajmëruar bojkotim të ndeshjeve të futbollit, pasi sipas tyre Kuvendi i sotëm zgjedhor ishte i jashtëligjshëm.
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) pas Kuvendit të Zgjedhor ka bërë të ditur që Agim Ademi ka fituar edhe një mandat katërvjeçar.
Agim Ademi ishte kandidati i vetëm për këtë post, pasi Gramoz Vokrrit iu mohua kandidatura, me arsye se nënshkrimet që janë mbledhur nga ky i fundit nuk janë të ligjshme.
Kjo gjë ka bërë që FFK-ja të ndahet në dy grupe, ku edhe disa nga kryetarët e klubeve që favorizojnë Vokrrin kanë bojkotuar procesin e sotëm zgjedhor.
"Me këtë rast ftoj organet kompetente monitoruese pranë Ministrisë dhe të gjitha institucionet e tjera që të monitorojnë me kujdes këtë Kuvend, sepse ky Kuvend i jashtëligjshëm nuk e di nëse e ka edhe numrin e saktë të kuorumit, pasi ka plot delegatë të cilët nuk janë pjesë e Kuvendit, dhe i ftoj organet të kenë kujdes në monitorimin, sepse nga ky Kuvend i jashtëligjshëm mund të ketë edhe shumë shkelje të tjera siç janë bërë deri më tani. Nga hapi i parë deri sot ku ata po mbajnë një Kuvend të jashtëligjshëm, dihet që çdo hap që është bërë, është bërë nën shkelje të sportit, ligjit për sport dhe statusit të Federatës”, tha Zymeri.
Më pas, Zymeri tregoi që në rast se nuk ka përfillje të kërkesave të tyre dhe se nëse nuk ndërmerren masa nga institucionet e shtetit, mund të ketë bojkot të futbollit nga klubet në përkrahje të Vokrrit.
Zymeri e cilësoi këtë Kuvend si të jashtëligjshëm, duke thënë që kur ka pasur manipulime në kandidaturën për kryetar të FFK-së.
Ndërkaq, rikujtojmë se kampioni aktual Prishtina, klubi i Dritës, Kika, Drenica, Vllaznia, Malisheva, Gjakova, Trepça ’89 dhe Ulpiana janë klubet që janë në përkrahje të Gramoz Vokrrit, dhe kundër rizgjedhjes së Agim Ademit në krye të FFK-së.