Me rastin e 14 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi ka uruar popullin kosovarë, duke thënë se futbolli është bërë një urë miqësie edhe me shtete që ende hezitojnë ta njohin Kosovën.
Ai ka shtuar se futbollit do të vazhdojë ta bëjë krenar Kosovën dhe ta prezantojë shtetin tonë me dinjitet kudo në botë.
Të nderuar krerë të institucioneve shtetërore,
Familje të heronjve e të dëshmorëve,
Të dashur futbolliste e futbollistë, drejtues të klubeve, trajnerë, ish-udhëheqës të sportit, ish-futbollistë, gjyqtarë, anëtarë të FFK-së,
Dardanë e tifozë të klubeve, sponsorë e donatorë;
Me rastin e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë e veçantë që në emrin tim dhe të KE të FFK-së të ju përcjell urimet më të mira për këtë datë historike, emocionale e krenarie për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë!
Kosova po vazhdon të rritet e të përparojë vit pas viti në çdo sferë, teksa në këto 14 vjet të shtetësisë pa dyshim sporti ka qenë ambasadori më i mirë, duke i thyer të gjitha barrierat dhe duke e prezantuar shtetin edhe atje ku nuk kanë mundur ta bëjnë fushat e tjera të shoqërisë.
Besoj se edhe gjatë këtij viti sukseset tona nuk do të mungojnë dhe sporti, e futbolli në veçanti, do të vazhdojë ta bëjë krenar popullin dhe ta prezantojë shtetin tonë me dinjitet kudo në botë.
Urime 14 vjet shtet!
Zoti e bekoftë popullin e Kosovës!
Zoti e bekoftë shtetin e Kosovës dhe miqtë e saj!