Ademi nderon Ruzhdi Statovcin për kontributin në futbollin shqiptar në Gjermani
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Ademi nderon Ruzhdi Statovcin për kontributin në futbollin shqiptar në Gjermani
Kryetari i Federatës të Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vlerësuar lart kontributin shumëvjeçar të Ruzhdi Statovci në zhvillimin e futbollit shqiptar në diasporë, konkretisht në Gjermani.
Para fillimit të punimeve të Kuvendit Zgjedhor të FFSHGJ-së, Ademi pati kënaqësinë ta dekorojë Statovcin për punën e tij të jashtëzakonshme në shërbim të futbollit shqiptar. Ky vlerësim vjen si mirënjohje për një periudhë të gjatë prej 24 vitesh udhëheqjeje me përkushtim dhe angazhim të palodhshëm.
Gjatë kësaj kohe, Statovci ka luajtur një rol kyç në organizimin, zhvillimin dhe promovimin e futbollit shqiptar në Gjermani, duke kontribuar në forcimin e komunitetit sportiv dhe lidhjen e diasporës me vendlindjen përmes sportit.
Ademi shprehu respekt dhe mirënjohje për kontributin e dhënë ndër vite, duke theksuar rëndësinë e figurave si Statovci në avancimin e futbollit shqiptar jashtë kufijve të vendit.
“Për plot 24 vite udhëheqje me përkushtim dhe punë të palodhshme, ai pati një rol të rëndësishëm në organizimin, zhvillimin dhe promovimin e futbollit shqiptar në diasporë. Mirënjohje dhe respekt për gjithë angazhimin dhe kontributin e dhënë për pothuajse dy dekada e gjysmë për Diasporën dhe komunitetin e futbollit atje” – shkroi Ademi.
Ky vlerësim konsiderohet si një nderim i merituar për një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në shërbim të sportit dhe komunitetit shqiptar në diasporë.
KosovaPress