Ademi: Kosova favorite në grupin e Ligës së Kombeve, nuk më ka pëlqyer bashkëpunimi i FSHF-së me Serbinë
Lexohet për: 3 min.
Ademi-240824
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka thënë se Kosova është kombëtarja favorite në grupin e Ligës së Kombeve që nis në muajin shtator.

Rivalët e “Dardanëve” janë Qipro, Lituania dhe Rumania, por Ademi ka thënë se përgatitjet e duhura dhe forma e mirë e lojtarëve të Kosovës nëpër klubet e tyre tregojnë se Kosova është një hapa para rivalëve të grupit.

“Nëse i shohim përgatitjet e tashme dhe formën e futbollistëve tanë, me trajnerin e ri Foda, me prurjet e reja sigurisht që jemi më të fortë dhe do të jemi më të fortë. Synimi ynë është, prapë se prapë tashmë nuk mund të flasim për zhvillim dhe nuk ka duhet zhvillim për ekipin kombëtar sepse dihet çfarë lojtarë kemi, ku luajnë në cilat liga dhe mendoj që tani ne na duhet kualifikimi dhe gjithmonë synim e kemi kualifikimin dhe sigurisht që do të shkojmë prapë për kualifikim sepse mendoj që edhe në këtë grup që e kemi prapë e mendoj unë dhe janë të gjitha analizat që ne jemi ekipi favorit”, theksoi më tutje Ademi.

Madje, i pari i FFK-së konsideron se zhvillimi i futbollit në Kosovë është në rrugën e duhur dhe premton se brenda dy viteve këtij sporti nuk do t’i mungojë asgjë, e as infrastruktura.

Në vazhdën e infrastrukturës, Kosovë vazhdon t’i mungojë një stadium kombëtar, por Ademi thotë se lokacioni tashmë mund të jetë caktuar, por për këtë çështje, ai ka thënë për KosovaPress, se duhet të flasë Ministria e Sportit.

Pak muaj më parë, bujë të madhe bëri lajmi i bashkëpunimit të Federatës së Futbollit të Shqipërisë me atë të Serbisë për organizimin e Kampionatit Evropian Euro 2027 për U21, por Ademi ka pranuar se ky lajm nuk i ka pëlqyer aspak, por që është vendim i FSHF-së.

I pari i FFK-së në fund bëri të ditur se në muajin mars të vitit të ardhshëm në Kosovë do të mbahet një prej ngjarjeve më të mëdha të UEFA-së në Kosovë që është Komiteti i Hat-trick-ut, komitet i cili është i një rëndësie të veçantë që mbledh rreth 70 përfaqësues të UEFA-së dhe do të jetë mundësi e mirë për të shfaqur imazhin e futbollit të Kosovës, por edhe mundësi për përfitimin e projekteve të reja për futbollin e Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024