Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka thënë se ikja nga jeta e futbollistit Sadik Rrahmani është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por për të gjithë.
Rrahmani ishte futbollist, trajner dhe gjyqtar gjatë karrierës së tij si dhe anëtar i Komisionit të delegimit të gjyqtarëve në FFK.
Një mëngjes i trishtë për futbollin tonë, një ditë ku humbëm një personalitet të shquar, një njeri që i dhuroi shumë futbollit të Kosovës.
Ndarja nga jeta e Sadik Rrahmanit është një humbje e madhe për familjen dhe për të gjithë ne, por ai do të mbetet gjithmonë në zemrat tona.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai vendosi të vazhdojë t’i shërbejë futbollit në pozitën e trajnerit dhe gjyqtarit.
Sadiku ishte një nga gjyqtarët më të respektuar në vendin tonë, derisa njëkohësisht punoi me përkushtim të madh edhe me gjeneratat e reja në KF Trepça’89, ku pati suksese të vazhdueshme.
Ikja e tij e hershme nga kjo botë është humbje e madhe për familjen dhe komunitetin e futbollit në Kosovë.
Ai ishte një njeri me vlera të mëdha humane, një personalitet me energji pozitive dhe një zell të vazhdueshëm për të bërë ndryshime të mira në futbollin tonë.
Sadik Rrahmani do të na mungojë shumë të gjithëve që jemi pjesë e komunitetit të futbollit, por kujtimi për të do të vazhdojë të jetojë.
Në emrin tim dhe të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Rrahmani dhe miqve të tij.