Asambleja e 30-të e Përgjithshme e Asociacionit të Agjencive Ballkanike të Lajmeve dhe të Evropës Juglindore (ABNA-SE) e organizuar nga Agjencia Bullgare e Lajmeve (BTA) që po mbahet në qytetin e Burgasit të Bullgarisë solli edhe vendimet e para.
Të gjitha agjencitë anëtare miratuan statutin e ri që rregullon çështjet e organizimit, ndërsa ABNA-SE edhe zyrtarisht është regjistruar me status juridik me seli në Sofje të Bullgarisë, duke ndjekur kështu shembullin e Asociacionit të Agjencive të Lajmeve të Evropës (EANA).
Sekretar gjeneral është zgjedhur Kiril Valchev, drejtor gjeneral i agjencisë bullgare të lajmeve BTA. Pjesë e bordit të ABNA-SE u zgjodhën Skënder Krasniqi nga KosovaPress (Kosovë), Aimilios Perdikaris ANA-MPA (Greqi) dhe Serdar Karagöz Anadolu Agency (Turqi).
Njëherësh, Turqia hodhi kandidaturën për organizimin e Asamblesë së 32-të të ABNA-SE në vitin 2024.
Deri më tani pjesë e ABNA-SE kanë qenë dy agjenci lajmesh nga Bosnja, FENA News dhe agjencia e lajmeve nga Republika Serbe, Srna.
Pas hapjes së diskutimeve dhe argumenteve të të dy agjencive, si dhe fjalës së të gjitha agjencive të tjera u përcaktua vetëm për njërën.
Të gjitha këto me votë unanime të të gjitha vendeve anëtare të ABNA-SE. Pjesë e ABNA-SE përpos KosovaPress-it që përfaqëson Kosovën, do të jenë edhe Agjencia Telegrafike Shqiptare (Shqipëri), BTA (Bullgari), HINA (Kroaci), ANA-MPA (Greqi), FENA (Bosnje), CNA (Qipro), MIA (Maqedoni e Veriut), Anadoly Agency (Turqi) AgerPress (Rumani) dhe MINA (Mali i Zi).