Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka hedhur poshtë pohimet e Qeverisë Kurti për investimet kapitale, duke thënë se në fakt, ato ndodhen në shkallën më të ulët ndonjëherë në historinë e vendit. Abdixhiku në një video-adresim në Facebook ka thënë se deklarimet e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila udhëheq në pushtet, janë propagandë.
“Këtë javë kemi vendosur të shpërfaqim propagandën qeveritare, por me fakte, sepse çdo postim i tyre, çdo deklarim është i mbushur me propagandë. Merreni temën e investimeve kapitale ku thonë se janë më të larta në histori. Për ta bërë veten të duken më të mirë, besoni ose jo, i llogarisin edhe investimet e komunave. Sa për rikujtim investimet e qeverisë në këto tri vjet janë 11 për qind, më të ulëtat në histori të Kosovës. Vetëm gjatë kësaj jave, vetëm për pesë dite pune janë nënshkruar plot shtatë tenderë të rinj sekret në këtë qeveri, 4.1 milionë euro të reja janë dhënë në tavolinë sy më sy, më nuk janë 781 kontrata, janë 788 kontrata, më nuk janë 209 milionë euro, por 213, nga një milion euro po jepen në këtë qeveri, përmes negocimit sekret,” ka thënë Abdixhiku.