Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka publikuar një video në të cilën ka theksuar polarizimin e skajshëm dhe përçarjet e thella në shoqërinë tonë.
Abdixhiku deri sot ka mbajtur katër takime me opinionistë e gazetarë, organizata të shoqërisë civile, ligjërues universitarë si dhe me mbi 100 biznese kryesore në vend.
Kryetari i LDK-së po ashtu iu ka bërë thirrje të gjithëve që t’i bashkohen ‘rrugës së re’, pavarësisht bindjeve e dallimeve, si rrugë e domosdoshme për vendin tonë.
Në vijim gjeni të bashkëngjitur tekstin e videos.
Kam nisur këtë angazhim duke thënë se na duhet një rizgjim kolektiv për rrugën që vendi ynë duhet ta bëjë. Se rrugët e deritanishme po na mbajnë peng në të shkuarën e asesi nuk po na ndërtojnë të ardhmen.
Dhe mes betejave përplasëse mbi të kaluarën, mes polarizimit të skajshëm shoqëror, mes sharjeve e ofendimeve, ndarjeve e përçarjeve, unë zgjedh një rrugë të re për vendin tonë. Një drejt së ardhmes që sot po na rrëshqet pakthyeshëm.
Mbi të gjitha kam parë jo vetëm shqetësimin që të gjithë bashkërisht e kemi për fatin e Republikës, por dhe vullnetin për të ndryshuar politikën tonë rrënjësisht.
Sot, përbashkimi me rrugën e re është detyrim i secilit në vend; i mjekëve, mësuesve, punëtorëve, ndërmarrësve, studentëve e vet popullit të Kosovës që rrugën e paqes, zhvillimit e vet mirëqenies duhet ta përcaktojë në këtë moment.
Prandaj, pavarësisht bindjeve tuaja, pavarësisht vështirësive që kemi, pavarësisht dallimeve që mund t’i gjejmë, le të gjejmë angazhimin e përbashkët për Kosovën, shtetin tonë, Republikën tone!”