Abdixhiku fajëson Kurtin për humbjen e shqiptarëve në zgjedhjet në Maqedoni
Lexohet për: 2 min.
1-.-Lumir-Abdixhiku-LDK-Konferenca-2022-2-of-9-2
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti për rezultatin e kandidatëve shqiptarë për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Bujar Osmani e Arben Taravari kandiduan nga Fronti Evropian, përkatësisht VLEN në zgjedhjet e shtata presidenciale në Maqedoninë e Veriut, por asnjëri prej tyre nuk arritën të sigurojnë raundin e dytë të votimit pas dy javësh. Lumir Abdixhiku për këtë ka fajësuar kreun e Qeverisë së Kosovës Albin Kurti. Ai ka thënë se sikur shqiptarët të bëheshin bashkë, me një kandidat, ata sot do të ishin në balotazh, e cila do të ishte një rezultat historik, por një gjë e tillë nuk ndodhi pasi që shqiptarët u ndanë.

“Në këtë ndarje, kryeministri popullist i Kosovës dhe gjithë aparati qeveritar i tij, u bënë akterë aktivë. Nga zyra e Kryeministrisë, Kosova, institucionet e Republikës, në vend të përpjekjes për përbashkim, bënë atë që dinë të bëjnë mirë - të përçajnë e ndajnë! Bënë fushatë, bënë propagandë, ndotën njërin kandidat, për të përfunduar megjithatë në fund me rezultat katastrofal”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook. Ai ka theksuar se Kosova duhet t’i rikthehet politikës unifikuese e përafruese mbarëshqiptare. “Kaq duhet të jetë roli ynë normal. Të ndihmojmë jo të ndajmë. Rikuperimin e përplasjeve me shqiptarët në Maqedoni, Shqipëri e Luginë, do ta bëjmë me plot kujdes e përkushtim”, përfundon Abdixhiku. Kandidatja e VMRO-DPMNE, Gordana Siljanoska dhe kandidati i LSDM-së Stevo Pendarovski do të përballen më 8 maj për të parin e vendit. Siljanoska ka fituar 40.14 për qind, Pendarovski 19.73 për qind nga 85.06 për qind të votave të numëruara deri më tash. Bujar Osmani nga Fronti Evropian ka 13.88 për qind, Arben Taravari nga VLEN 9.78 për qind, Maksim Dimitrievski, kryetari i Kumanovës 8.61, Biljana Vankovska Cvetkovska “E Majta” 4.36 dhe Stevco Jakimovski, kryetari i Karposhi Shkup me 0.80 për qind.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024