Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur takim me forumin e gruas për rëndësinë e përfshirjes së grave në politikë. E në këtë kauzë për barazinë gjinore, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku theksoi se 80 përqind e grave në Kosovë, janë joaktive në punësim.
Sipas tij, kjo bënë që gratë e papuna të humbasin potencialin politik në vend. Derisa shtoi se vetëm 4 përqind nga gratë marrin trashëgimi nga familja.
Abdixhiku foli edhe për dhunën në familje, me ç’rast tha se përafërsisht çdo vit nga pesë gra humbin jetën si pasojë e kësaj dukurie.
“Mos të harrojmë se që nga viti 2010 deri më sot janë 48 gra që kanë humbur jetën si pasojë e dhunës familjare. Përafërsisht çdo vit nga pesë gra humbin jetën si pasojë e dhunës në familje. E ky është fenomen tani, është problem i organizimit tonë shoqëror, kolektiv, i mënyrës se si i trajtojmë gratë brenda shtëpive tona. Është problem i shpërndarë gjithandej në Kosovë. Dhe, roli i gruas në politik, pra gruas si faktor politik duhet fillimisht të orientohet drejt një fenomeni të tillë”, theksoi Abdixhiku.
“Unë iu siguroj që me të gjitha kapacitetet e mija si kryetar i LDK-së, bashkë me këto gra, koleget e juaja partiake të cilat kanë qëndruar me ju me vite të tëra; e të tjera që do të na bashkëngjiten, do ta marrim këtë hapësirë me forcë, për t’i dhënë rol gruas politike brenda LDK-së”, shtoi Abdixhiku.
Kryetarja e Forumit të Gruas të LDK-së, Lirije Kajtazi, tha se Kosova ka gra në sport dhe në kulturë, që mund të shërbejnë si frymëzim për pjesën tjetër të grave e vajzave.
Megjithatë, Kajtazi thkesoi se betejat mbeten të shumta për gratë në Kosovë. Sipas saj, problem më vete mbetet nënvlerësimi i tyre nga shoqëria. Ajo theksoi se gratë duhet të vazhdojnë betejën e tyre karshi sfidave.
“Betejat janë të shumta për të lidhur gjithë përpjekjen e brezave, me fitimin e luftës për liri, barazi dhe demokraci. Janë beteja për familje, edukim, punësim, shoqëri, e shtet që ka një bazament të drejtë, dinjiteti njerëzor në të gjitha fushat ku zhvillohet jeta. Si e ndajmë kohën, paranë, pushtetin, të mirat, përgjegjësinë e mbi të gjitha dashurinë mes nesh. Vazhdojmë të jemi të nënvlerësuara, dhe kjo na bënë që në të vazhdojmë betejën tonë” shtoi Kajtazi.