Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq i është përgjigjur deklaratës që ka dhënë para disa ditëve kryeministri i Kosovës, Albin Kurti lidhur me zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi. Kurti është shprehur i shqetësuar nëse fiton kundërkandidati i presidentit aktual, pasi sipas tij në këtë formë do të hapet rruga për zhdukjen e kombit malazez.
Në lidhje me këtë Abazoviq theksoi se Kurti duhet të flejë rehat dhe se nuk ka nevojë të brengoset askush për të ardhmen e Malit të Zi.
I pyetur për akuzat se presidenti i ri malazezas, Jakov Millatoviç është pro-serb e pro-rus, Abazoviq tha se ai është një profil proveropian, duke shtuar se është gëzuar që ka fituar zgjedhjet.
Sa i përket raporteve me Kosovën pas fitores së Millatoviqit, ai shtoi se nuk do të ndërrohet raporti me Kosovën. I njëjti është shprehur i bindur se edhe presidenti i Malit të Zi do të bashkëpunojë me të njëjtin vullnet me Kosovën.
Sa i përket zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në qershor, Abazoviq tha se pritjet janë që prap do të jenë faktor kyç në qeverinë e re të Malit të Zi.
Në fund, Abazoviq ka folur edhe për Ballkanin e Hapur, duke thënë se çdo iniciativë e cila ka të bëjë me ngritjen e marrëdhënieve rajonale është e pranueshme.