Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, i cili ditë më parë është shkarkuar nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, sot, ka deklaruar se i ka ndarë rrugët përfundimisht me kryeministrin Albin Kurtin.
Abazi ka akuzuar kryeministrin Kurti se e ka pranuar themelimin e “Zajednicës”.
Abazi ka shkruar se Kurti ka adoptuar “luftën speciale, ushtrinë e facebook dhe rrjetet sociale për të eliminuar, këdo që nuk i nënshtrohet liderit suprem”.
“E ke rrethuar veten me njerëzit e pushteteve të kaluara, me vepra penale, nënshkrues të demarkacionit dhe marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015. Ke përjashtuar aktivisitët dhe përkrahësit më të devotshëm dhe po i mbronë e po i mbanë afër njerëzit e korruptuar, ata që e shkatërruan urbanizmin, privatizuan e përfituan, dhanë leje për kompensim me villa.”, ka shkruar ai.
“Në të ashtuquajtura zgjedhje të brendshme ju keni treguar qëllimin përfundimtar, ata që kanë kurriz e integritet gjejeni formën për t‘i lënë jashtë me çdo kusht qoftë edhe duke u kujdesur që personalisht të caktoni diagnosa për të anatemuar dhe stigmatizuar e më pastaj me profilet e ushtrisë fiktive online të shkatërrohen politikisht. Kokat e turkut të janë dashur për të mbuluar dështimin. Kjo mund të bëhet nga një mendje e korruptuar me fajllat e komunistëve. Servilët janë në rregull- Kadri Hazbiu, Beqir Balluku… Jo.”, ka shkruar tutje ai.
Ndër të tjera, deputeti Abazi ka shkruar se i vjen mirë që nuk është pjesë e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë.