Luigj Gurakuqi ishte veprimtar i çështjes kombëtare, hartues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, arsimtar, tekstolog, gjuhëtar, diplomat, deputet dhe Hero i Popullit shqiptar. Dora e tij shkroi alfabetet e miratuar nga Kongresi i Manastirit.
Është një nga personalitetet më të shquara të lëvizjes sonë kombëtare, arsimore e kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe fillimeve të Pavarësisë duke përjetuar ngjarjet më kulmore të jetës së vendit në çerekun e parë të shekullit 20 në shumicën e të cilave në mos organizator, qe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë. Në shkrimet e tij përdorte emrat e pendës Jakin Shkodra e Lekë Gruda.
Shtëpia e këtij tregtari të kulturuar e të shëtitur gumëzhinte nga hyrjet e daljet e njerëzve që vinin të diskutonin hallet e kohës e të merrnin vesh lajmet e botës. I ndodhur përherë pranë të atit, dëgjonte me vëmendje bisedat e diskutimet për ngjarjet e së kaluarës dhe të ditës, për luftërat heroike të popullit kundër pushtuesit otoman dhe grabitqarëve ballkanikë dhe për burrat që i udhëhoqen ato. Duke kujtuar këto vite, Gurakuqi student do të shkruante:
"Më çohet mall me kenë në shpi e me ndigjue baben tue kallzue, si përpara, në ngjarjet e Pashallarvet të Shkodres, trimnitë e malcorvet e luftat e Malit te Zi, sende qi kishte ndî prej t'et e që edhe ai vetë shume kish pa".
“... tue pà syt e tij të mekun kah ndizeshin e shkëlqeshin, tue e përmendë Shqipnín, unë gjith përmallue, nuk mujta me u ndalë pa lëshue, bashkë me dy pika lot, nji të puthun të nxehtë mbi at dorë që punoi sá e sá për Atdhé...!”
Diplomën e pjekurisë e merr në Kozencë për sciences naturelles, duke pas ndjekur dhe kurse të veçanta në filozofi. Vijoi studimet universitare në Napoli (Itali) në Fakultetin e Mjekësisë në vitet 1901-1906, ku njohu Zef Skiroin, profesorin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Institutin Lindor të Napolit. Veprës së Skiroit Luigji do t'i përpilonte një parathënie, të cilën Konica do t’ia paraqiste botës frënge me një përkthim të bukur në të përkohshmen "Albania". I përpirë nga ajo frymë që i kushtohej Shqipërisë detyrohet të lë studimet përgjysmë që t'i kushtohej valës së luftërave për lirinë kombëtare duke marrë emrin e tyre në pseudonimin Lekë Gruda.
Luigj Gurakuqi botoi mjaft poezi që dallohen për përmbajtjen patriotike, për lirizmin dhe teknikën e vjershërimit. Me artikujt e tij ai dha edhe një ndihmesë me rëndësi në mendimin estetik e në kritikën letrare shqiptare. Sa i përket vokacionit të tij të gjuhës shqipe, Atë Justin Rrota «gjuhën shqype e njofti mâ mirë e mâ këthelltë se çdo shqyptár”.
Ngatërresën e parë me autoritetet turke e pati më 1904 nga shkaku i një botimi të vogël mbi kolonitë shqiptare në Itali “Dy Koloní Shqiptare n'Italí deri tash të panjohtuna” Më 1905 u shtrëngua me marrë malet për t'i shpëtuar ndjekjeve. Me shpalljen e Kushtetutës falen të gjithë që kishin bërë faje politike.
Bashkë me Fishtën ishte përfaqësues i "Bashkimi"-t, me Logorecin kishin mandat të përfaqësonin inteligjencën shkodrane, gjithashtu vetë Luigji kishte mandat të përfaqësonte arbëreshët e Italisë.
Gurakuqi pati meritën dhe fatin që udhëhoqi drejtpërdrejt luftën për krijimin e shkollës kombëtare shqiptare dhe sistemit tonë arsimor. Nën drejtimin e tij u hodhën themelet e para të sistemit arsimor fillor shtetëror në Shqipëri. U krijua përvoja e parë e ngritjes së administratës arsimore shqiptare, u hartuan dokumentet e para shkollore, u ngrit një sistem i tërë i përgatitjes dhe i kualifikimit të mësuesve. Dora e tij shkroi alfabetet e miratuar nga Kongresi i Manastirit dhe i zbuloi para delegatëve.
Detyrohet të ikë prej Elbasanit, të dalë jashtë shtetit bashkë me Aqif pashë Elbasanin. Në prill 1911 merr pjesë në kryengritjen e malësorëve të Mbishkodrës e si një nga udhëheqësit e saj, harton së bashku me Atë Mati Prennushin Memorandumin e Greçës, apo Librin e Kuq siç njihet ndryshe të malësorëve kryengritës, zjarri i armëve të të cilëve do të paralajmëronte pavarësinë. Më 1912 zhvillon një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, duke qenë i pranishëm në Toskëri dhe më vonë edhe pranë krerëve të Kosovës.
Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit dhe do të merrte pjesë në shtegtimin nga Bukureshti në Vjenë. Me vaporin e dhënë nga austro-hungarezët duke shoqëruar Ismail Qemalin zbret në Durrës më 24 nëntor në orën 4 pasdite, u nisën të nesërmen më 25. Një natë fjetën në Çermë te Dervish bej Biçakçiu, dhe një natë në Fier tek Omer Pashë Vrioni. Në Vlorë mbërritën më 27 dhjetor, në darkë.
Gjatë pushtimit austro-hungarez, prania e Korparmatës XIX të komanduar nga gjeneral Trollmann vihet drejtor i përgjithshëm i Arsimit, hapi shumë shkolla shqipe. Qe një nga themeluesit e Komisisë Letrare më 1916. Profesori i Filologjisë romane në universitetin e Lubjanës, më parë profesor në Universitetin e Gracit në Austri që bëri pjesë në punimet e kësaj Komisie, Radomir Nachtingall, e çmon Gurakuqin. Ka merita të shquara në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe, në përpunimin e gjuhës letrare dhe në njësimin e shqipes së shkruar, në stabilizimin e drejtshkrimit, në pasurimin e fjalorit, në çështjet e leksikologjisë, terminologjisë e gramatologjisë.
Arsimi vazhdoi të mbetet, siç e thotë vetë ai, dega më e dashur e zemrës së tij. Ai parashtroi në parlamentin shqiptar ide dhe mendime shumë interesante për politikën arsimore dhe rrugën që duhet të ndiqte shkolla shqiptare. Gurakuqi kishte një vizion të qartë për rolin e shkollës në një shoqëri moderne, për lirinë dhe të drejtat themelore të individit në fushën e arsimit, dhe kërkoi zhvillimin mbi baza ligjore, shkencore e pedagogjike të shkollës shqiptare. Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Durrësit, ku ishte përfaqësues i Shkodrës dhe Mirditës, u emërua zëvendës i dr. Mihal Turtullit në Ministrinë e Arsimit të kabinetit të Turhan Pashë Përmetit. Që në mbledhjen e parë të Kongresit të Durrësit, më 1918, Luigj Gurakuqi "âsht kundër që në një mbledhje kombëtare të përmenden fjalët toskë e gegë dhe të krishtenë e mysliman", kërkon që fjalë të tilla të jenë të ndaluara dhe shton se "...çështja e lirisë dhe e nderimit të feve në Shqipni duhet të zgjidhet mbas formulës: "Feja e lirë në shtet të lirë". I ngarkuar nga kjo qeveri si anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris ku qendroi 15 muaj. Çdo shkresë e përdorur nga delegacioni u shkrua nga duart e tij e të Mustafa Merlikës.
"Na kanë marrë qytetet e na kanë lanë malësinë, na kanë marrë viset ma të çmueshme t'atdheut duke na lanë si një trup pa kokë".
Tingëllojnë të freskta demaskimet që i bënte Gurakuqi politikës së pastrimit etnik që ndiqnin shovinistët serbë:
Për gjendjen tepër të vështirë të shqiptarëve në shtetin jugosllav fajëson Fuqitë e Mëdha, të cilat bënë theror shqiptarët e trojet e tyre për interesat e veta e të aleatëve të tyre. Luigj Gurakuqi është partizan për të ndihmuar e për t'i dalë zot të drejtave të popullsisë së Kosovës. E quante si detyrë të rëndësishme të shtetit shqiptar.
Faji i vetëm i kosovarëve qëndronte në atë se ata ishin shqiptarë e donin të mbeteshin shqiptarë.
"Si mundte me thanë një qeveri (Jugosllave) e cila ka mbjellë viset tona me varre të vllazënve tonë, se po i përzihemi në punët e mbrendshme të saj. Si mundte nji qeveri me thanë se po i përzihemi në punët e mbrendshme, kur shohim se për shkak të saj me mijëra fëmijë e gra sillen të zhveshur e të zbathur këtu nepër Tiranë e ushqehen me sevapet e amerikanëve e tepricat e ushtrisë. Qeveria Jugosllave nuk ka të drejtë për të na akuzue për një gjë të tillë kur parlamenti shqiptar kërkonte vetëm në emër të njerëzizë e humanizmit të ndërpriten mizoritë serbe ndaj shqiptarëve."
Më 5 mars 1924 u sëmur rëndë nga një grip i fortë që e mbërtheu afro një muaj në shtrat. Shtypi i dha vëmendje të veçantë, aq sa Avni Rustemi i thoshte Dom Shantojës "Opozita po pushon: Kemi Gurakuqin e sëmurë".
"Z. Ali Këlcyra më tha si për qortim se jam liberal. I falemnderit dhe mund të jetë i sigurtë zotnia e tij se vdekja do të më ndajë nga mendimet e mija liberale".
Duke u deklaruar demokrat e liberal, Gurakuqi thoshte se nuk është as revolucionar as bolshevik e as socialist, koncepte këto që në vitet '20 ishin të baras vlefshëm dhe kishin kuptimin e ndryshimeve me dhunë, me forcën e armëve, me kryengritje. Gurakuqi do të shkruajnë se ishte trim, por s'e pëlqente gjakderdhjen. Gurakuqi ishte për zgjidhjen paqësore të probleme nëpërmes ligjeve, zgjidhjeve "me drejtësi e në mënyrë të butë". Si i tillë, ishte kundër futjes se popullit në udhën e kryengritjes së armatosur. Duke pasur këto koncepte mbi rolin e ligjit, dhe zgjidhjen paqësore dhe jo kryengritjen e zgjidhjen me dhunë të problemeve, Gurakuqi u përfshi në Lëvizjen e 1924, pas një hezitimi e kundërshtimi të fortë. Miku i tij, Mustafa Merlika-Kruja shkruan në letërkëmbimin me Atë Paulin Margjokajn:
"Gurakuqi u tërhoq (në revolucion) pas një kundërshtimi të fortë. Mund ta dëshmojnë sa u ndodhën në Vlorë". - shkruante Stavro Vinjau.
Për veprimtarinë e tij si ministër vazhdojmë të lexojmë Vinjaun:
Pas shtypjes së Lëvizjes së qershorit shkoi në Itali, ku më 2 mars 1925 u vra në Bari prej Baltjon Stamollës në derë të hotel “Cavour”, kushëri i vetë Luigjit. Ishte mbrëmja e 2 marsit, në restorantin e hotelit, Luigj Gurakuqi po darkonte me dy miq të tij dhe gruan e njërit prej tyre: Riza Dani me bashkëshorten Makbule dhe vëllai i tij Dan Hasani. Kërkoi leje prej tyre duke i paraqitur arsyen: do t'shkoj tek Sotiri, mbâsi i kam premtue nji kukull vajzes së tij. Në xhepat e shqyer të ish-ministrit të Financave policia italiane gjeti vetëm 350 lira. Nisi të hante një herë në ditë me të dalë refugjat.
Në organizimin e këtij atentati kishin dorë si Ahmet Zogu, Ceno Kryeziu, ashtu dhe Çatin Saraçi, dëftuar kjo nga letra nisur nga vrasësi që kërkon ndihmë:
Miku i tij, Hasan Prishtina, mbi varrin e tij do të shprehej: "Flej i qetë Gurakuq, shpagen tânde do ta marrim me përparimin e Shqipniës."
Autoritetet italiane nuk lejuan që funerali të mbahej në qytet, por vetëm brenda mureve të varrezave. Në ato çaste tragjike miku i afërt i Gurakuqit, Lin Kamsi ruajti veshjen me të cilën ishte vra "trimi i bardhë si dëborë" për t'ia lanë si kujtim brezave të ardhshëm. Në Bari rendën refugjatë shqiptarë prej gjithkah. U mbajtën fjalime prej bashkëshortes së Sotir Gjikës, zonjës Lilli Quarta, prej Hasan Prishtinës, Llazar Fundos, Beqir Valterit etj.