81-vjeçarja në Shtëpinë e të Moshuarve: Edhe po të më lutin, nuk dal prej këtu
Lexohet për: 4 min.
salihu-030124
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Fëmijë nuk pati, e burri i vdiq, ndërkaq i duhej dikush të kujdesej për të. Tash e 11 vjet, Shtëpia e personave të moshuar dhe pa përkujdesje familjare u bë familja e re e 81-vjeçares, Shejnaze Salihu.

Ani pse ka motrat që mund të kujdesen për të, ajo thotë se nuk dëshiron t’i bëhet barrë askujt, derisa shprehet se edhe po t’i kërkohet të dalë prej aty, nuk do ta lë vendin ku po qëndron tash e një dekadë.

Për KosovaPress, Salihu tregon se në fillim e kishte të vështirë të adaptohej, por shoqëria, kujdesi e gjithçka tjetër, e ndihmoi që ta tejkalonte këtë periudhë.

Ajo thotë se ka vizita të shpeshta nga motrat e nipat, derisa shton se vitin 2024 e ka ndërmend ta presë bashkë me 57 personat e tjerë në Shtëpinë e të moshuarve.

Ndërkaq, Salihu shprehet e emocionuar derisa tregon se përgjatë këtyre 11 vjetëve ka pritur dhe ka përcjellë shumë të moshuar.

"Këtu kam ardhur që 11 vjet... Burri më vdiq, fëmijë nuk kam, më duhet mbikëqyrja, për shkak të mbikëqyrjes, kam vendosur të vij këtu. Kur kam ardhur, pak, më ka ardhur vështirë deri jam adaptuar, tash edhe të më thonë dhe të më marrë dikush, më nuk shkoj. Jam adaptuar, mirë jam. Jemi tre motra. (Ato) Vijnë e më vizitojnë, djemtë e vëllait vijnë të më marrin... Motra që është mjeke, nuk kam dashur t'i bëhem brengë askujt, se vetë është e sëmurë. Kur ka ardhur, se nuk i kam treguar, sapo erdhi prej punës i ka thënë burrit, eja të shkojmë ta shohim. Kur ka hyrë në derë, i ka parë disa të paralizuar, ishte ‘kanë mbytur’ duke qarë... Të gjitha jemi shoqe, mirë...”, thotë Salihu.

Ndërkaq, Islam Kuleta dhe bashkëshortja e tij, po i bëjnë tri vjet prej kur u bënë pjesë e familjes së madhe në Shtëpinë e të Moshuarve. Pasioni i Islam Kuletës për të punuar tokën dhe për të kultivuar perime, bëri që oborri i kësaj shtëpie të shndërrohej në një tokë pjellore, me plot fryte.

Për KosovaPress, 73-vjeçari tregon se ka mbjell rreth 400 saksi me perime të ndryshme, për çka thotë se mezi pret të vjelë frytet e tyre.  Pavarësisht se nuk ankohet për kushtet brenda shtëpisë, Kuleta thotë se nuk është mësuar me këtë mënyrë të jetesës.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Ajo që i mungon Islam Kuletës janë njerëzit e afërt, për çka thotë se është mësuar ta vizitojnë mysafirët dhe të rrinë së bashku sa të duan, por aty është koha e kufizuar.

Ndërkaq, drejtoresha e Shtëpisë së personave të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, Raza Aliçkaj thotë për KosovaPress se aktualisht janë 58 persona nën përkujdesje, 37 prej tyre gra.  Ajo potencon se gjatë këtij viti kanë vdekur 6 persona, ndërsa janë pranuar dy persona të tjerë.

Aliçkaj thotë se organizohen aktivitete brenda institucionit, të cilat përfshijnë lojëra të ndryshme, si shah, domino, terapi e punës e të tjera.

Ndër të tjera, për KosovaPress, Aliçkaj tregon se numri i stafit të punës është 52, derisa thotë se shërbimet në këtë shtëpi janë 24-orëshe.

Ajo shton se kujdesin ndaj të moshuarve e bëjnë me dëshirë dhe dashuri, për çka thotë se po e bëjnë maksimumin.

"Shtëpia e personave të moshuar dhe pa përkujdesje familjare aktualisht i ka 58 rezidentë. Prej tyre, 37 janë femra dhe 21 meshkuj...Këtë vit janë pranuar dy rezidentë, njëri ka bërë bashkim familjar... ", potencon Aliçkaj.

Ndërkaq, për festat e fundvitit, në Shtëpinë e të moshuarve u organizua një aheng, ku të moshuarit u argëtuan duke dëgjuar tingujt e çiftelisë e këngë live, derisa rrokën vallen me njëri-tjetrin.

Ndryshe, kërkesat për t’u vendosur në këtë institucion bëhen përmes Qendrave për Punë Sociale, që gjenden në të gjitha komunat e Kosovës.

Kriteret për t’u vendosur në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, sipas një udhëzimi administrativ, janë që personi të jetë të paktën 65-vjeç, të mos ketë pasardhës, të jetë në gjendje të mirë psikike dhe të mos ketë sëmundje infektive. Gjithashtu, vendosja në këtë qendër lejohet edhe nëse i moshuari ka vajzë, që është e martuar. /Z.Zeneli/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024