80 raste në Prokurori, vetëm tri aktakuza – auditorja Vlora Spanca diskuton në Komision
Biznes
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
80 raste në Prokurori, vetëm tri aktakuza – auditorja Vlora Spanca diskuton në Komision
Komisionii
21/04/2026 - 12:45
Linku u kopjua

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dërguar 80 raste të dyshimta në Prokurori gjatë vitit 2025.

Prej këtyre rasteve, auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca bëri të ditur se janë ngritur tri aktakuza. Gjatë diskutimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ajo theksoi se këto raste janë iniciuar nga 133 auditime të publikuar nga institucioni që ajo udhëheq, raporton KosovaPress.

Përveç për këto raste, ajo ka folur edhe për kontratat një burimore, për çka ka pasur diskutime mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca ka folur për numrin e raporteve të auditimit gjatë vitit të kaluar.

“Për vitin 2025 ne kemi publikuar 133 raporte të auditimit, 104 raporte të auditimit janë auditime financare dhe të pajtueshmërisë. Auditime të performancës janë 14, auditime të pajtueshmërisë janë 12, auditime në nivel të informacionit të klasifikuar – niveli i klasifikuar ato që i kemi audituar është vetëm niveli i kufizuar dhe këto raporte nuk bëhen publike por vetëm dërgohen në Kuvendin e Kosovës si dhe tek komisioni juaj përkatës. Për gjitha këto raporte të auditimit për vitin 2025 ne kemi dërguar 80 raste tek Prokurori i Shtetit bazuar në një marrëveshje që e kemi me Prokurorin e Shtetit që e kemi lidhur në vitin 2023”, ka thënë ajo.

Nga këto raste që janë dërguar në Prokurori, Spanca tha se janë ngritur vetëm tri aktakuza.

“Kemi marrë një raport përmbledhës vetëm për 143 dhe nga ai raport rezulton që vetëm për tri raste ka aktakuzë, rastet tjera janë qoftë të mbyllura, janë mbyllur hetimet dhe nuk ka pasur elemente sipas tyre potenciale të veprës penale dhe pjesa tjetër është nën hetime”, shtoi ajo.

Kryesuesi i këtij komisioni, Arben Mustafa e ka pyetur auditoren e përgjithshme se “pse ka kaq pak aktakuza” marrë parasysh rastet që janë dërguar në Prokurori.


“Thatë që keni dërguar mbi 80 raste të dyshimta në prokurori, por vetëm tri raste kanë aktakuzë. A flet kjo për neglizhencë nga Prokuroria, apo ndoshta ka më tepër të bëjë nga vet ZKA në mënyrë që rastet të cilat i dërgoni në Prokurori të jenë më të kompletuara, të kenë dyshime më të bazuara, më të artikuluara në mënyrë që rastet të cilat të identifikohen të mos mbeten pa u adresuar nga drejtësia”, ka pyetur ai.

Spanca tha se për raste të tilla të cilat i kanë dërguar në Prokurori, institucionet në Shqipëri ngrit aktakuza.

“Sa i përket asaj nëse ne dërgojmë raste të cilat nuk janë të argumentuara mirë. Mund të qëndrojë edhe ajo. Ne e kemi adresuar këtë çështje duke punësuar zyrtarë juridik më shumë, kemi katër zyrtarë juridik të cilët merren në mënyrë pak më aktive në këtë aspekt dhe ne shqyrtojmë secilin rast. Por unë vetëm po përmendi nëse e krahasojmë me Shqipërinë, për rastet e njëjta Prokuroria atje, apo SPAK ngrit aktakuzë për shembull për rastet kur jepet leja e ndërtimit pa kushte ndërtimore, apo jo në përputhjet me kushtet ndërtimore. Rastet e tilla ne kemi pasur edhe e kemi publikuar raportin për Komunën e Prishtinës, pastaj ka qenë raporti për Komunën e Lipjanit, tash jemi për lejet e ndërtimit në Komunën e Ferizajt. Por nuk kemi pasur një progres në këtë aspekt”, u përgjigj Spanca.

Mustafa ka ngritur edhe çështjen, që sipas tij është shqetësuese, ajo e kontratave pa tenderë për operatorë ekonomik.

“Kemi një dukuri në rritje që është shumë shqetësuese ku kontratat i jepen operatorëve ekonomik pa tenderë, pa transparencë dhe pa arsyetuar se pse duhet t’i jepet pa tenderë një kontratë dikujt, ku mund të ketë shumë operatorë ekonomik në treg që i ofrojnë ato shërbime”, ka shtuar ai.

Sa i përket kontratave të negociuara pa publik, auditorja e përgjithshme tha se janë pjesë e secilit auditim.

“Këto kontrata auditohen në secilën organizatë buxhetore për shkak të rrezikut që bartin do të thotë transparencës jo të mjaftueshme janë pjesë e secilit auditim. Dhe çështjet të cilat kanë rezultuar nga këto kontrata, mos të harrojmë që kontrata si e tillë është e ligjshme në rrethanat kur rastet janë emergjente. Në rrethanat të cilat nuk kanë qenë emergjente dhe nuk kanë qenë të bazuara, këto raste janë reflektuar në raporte të auditimit, por që edhe në raportin vjetor të auditimit, emërtimi është procedura e gabuar e prokurimit e cila është shfrytëzuar, nuk është dashur të shkohet me negocim, por është dashur të shkohet me procedurë të hapur”, u shpreh ajo.

Diskutimi vazhdoi edhe më tej mes Mustafës dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca në komision ka folur edhe për vendimin e janarit të vitit 2025 të Ministrisë së Punëve të Brendshme për vendosjen e këtij institucioni në një objekt publik. Megjithatë, ajo tha se nuk ka tutje asnjë informacion, për çka shtoi se sa më shpejt duhet të ketë hapa në këtë drejtim për shkak të “sigurisë, hapësirës së pamjaftueshme dhe cenimit të kredibilitetit të ZKA-së”. /Sh.Pajaziti

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026