78-vjetori i RTP-së, vlerësohet si institucion që u jepte hapësirë të gjitha etnive
Lexohet për: 4 min.
hh
1 vit më parë
Linku u kopjua

Për nder të 78-vjetorit të Radio Televizionit të Prishtinës, sot në kryeqytet u mbajt konferencë për media. Me këtë rast, u tha se RTP ka qenë i vetmi institucion radioteleviziv evropian që i ka dhënë hapësirë të gjitha etnive të shprehen në gjuhët e veta.

Kryetari i Këshillit Grevist të Punëtorëve të Radiotelevizionit të Prishtinës, Qemajl Sokoli, u shpreh se si punëtorë të dëbuar, po kërkojnë kthimin në shtëpinë e tyre, që siç u shpreh ai, pasurinë e së cilit po e shfrytëzojnë padrejtësisht të tjerët.

Ai deklaroi se deri në mbylljen e dhunshme të RTP-së nga forcat militare serbosllave, më 5 korrik të vitit 1990, RTP-ja ka qenë shtëpia radiotelevizive e te gjitha kombeve dhe kombesive që kanë jetuar në Kosovë.

“Me programet cilësore informative, dokumentare, arsimore, kulturore, artistike, muzikore, propagandistike e të tjera, në gjuhën shqipe, serbe, turke dhe rome, RTP-ja, qe i vetmi institucion radioteleviziv evropian që i jepte hapësirë të gjitha etnive të shprehen në gjuhët e veta. Programet e vellimshme radiotelevizive këtë shtepi e ngrihën në më të madhen në Ballkan. Kurse, sajuesit përkushtues të saj, ishin jo vetëm regjistrues e dëshmitarë të ngjarjeve të  kohës, por edhe promotorë të shumë ndodhive të tjera që e përcaktuan rrjedhën e historisë sonë, si "Java e marshit të madh" (1988),"Greva e minatorëve" (1989), etj. Ashtu që u bë sinonim i qëndresës kombëtare dhe fanar i ardhmërisë sonë.”, tha ai.

Sokoli tha se nga gjiri i RTP-së kanë dalë emrat legiendarë që na nderojnë si: Nexhmije Pagarusha, Zyhra Mula, Gjakush Capari, Petrit Dushi, Rexhai Surroi, Gjeto Leka, Besim Sahatçiu, Ekrem Kryeziu, Rudolf Sopi, Fahri Beqiri, Qamili i Vogël, Ismet Peja, Musa Piperku, Rasim Salihu, Sabri Fezullahu, etj., që kanë lënë gjurmë të pashlyera në krijimtarinë tonë kulturo-artistike.

Ai kërkoi nga institucionet shtetërore që ta shpëtojnë pasurinë e tejçmuar arkivore, filmike e muzikore.

“Përfundimisht, përpiekjet tona flijuese dydekadeshe për ta mbrojtur këtë institucion të shenitë të informimit, të artit dhe të kulturës sonë të traditëshme, po dëshmojnë se RTP-ja është e pamposhtur dhe vazhdimisht do troket në ndërgiegjen tonë kombëtare.”, shtoi ai.

Ndërsa, redaktori i RTP-së, Enver Maloku deklaroi se të gjithë punëtorët e RTP-së që pushteti okupues serb i ka nxjerrur me dhunë, pas luftës do të duhej që të ktheheshin në vendet e tyre të punës. Për mospunësimin e tyre, ai fajësoi të gjitha partitë politike të pasluftës.

“Janë lënë kuadra të verifikuara profesionalisht dhe jonë marrë të tjerët të them kushtimisht nga rruga, dy fjalë anglisht i kanë folë dhe redaktorët, gazetarët me nam, producentët janë lënë jashtë. Pjesë e këtij faji janë të gjitha subjektet politike të Kosovës të pasluftës, secila, nuk ka veçim këtu...Të gjitha janë përgjegjëse.”, u shpreh ai.

Ndërkaq, redaktori përgjegjës i kulturës në RTP, Ramiz Bala deklaroi se emrat e të gjithë udhëheqësve të RTP-së nuk duhet të harrohen kurrë.

Ai ndër të tjera, u shpreh se pa histori, pa kulturë dhe pa arsim, nuk ka përparim kombi ynë.

?Radio Televizioni i Prishtinës, RTP ka qenë radio televizioni i parë shqiptar i Kosovës. Ndërprerja e programeve nga ky televizion ishte realizuar me masa të dhunshme të ndërmarra nga qeveria serbe në vitin 1990. Radio Prishtina kishte filluar punë menjëherë pas luftës së dytë botërore më 1945 në Prizren, pastaj ishte transferuar në Prishtinë. Pas luftës në Kosovë materiali dhe ndërtesat e Radio Televizionit të Prishtinës janë nën administrimin e Radio Televizionit të Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024