Sot bëhen 78 vite nga masakra e ndodhur në Tiranë, ku mendohet se u pushkatuan 84 antifashistë dhe 400 të tjerë u mbyllën në kampet e përqendrimit.
Operacioni i 4 shkurtit, i quajtur “Masakra e 4 shkurtit” të vitit 1944 sipas numrit të gazetës "Bashkimi" që doli një vit pas ngjarjes, në kohën e regjimit komunist, ishte një operacion kundëraksion i autoriteteve shtetërore të Mbretërisë Shqiptare si përgjigje e atentateve që komunistët u kishin bërë figurave politike.
Historiografia shqiptare ende debaton në lidhje me këtë ngjarje, teksa në ndihmë vjen edhe dokumentacioni britanik i kohës për motivin dhe realitetin politik të atyre ditëve të para të shkurtit 1944. Në dosjen me kod HS 5/96, të inteligjencës ushtarake të SOE, ka edhe një paragraf për ngjarjen e 4 shkurtit.
“Partizanët vazhdojnë të tregojnë shenja aktiviteti në zonën e Tiranës ku besohet se ndodhet Komiteti Qendror i Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Në datën 3 shkurt, një atentat i pasuksesshëm raportohet të ketë ndodhur për jetën e Xhafer Devës, ministër i Brendshëm dhe një kolaboracionist i njohur. 60 partizanë nga burgu i Tiranës thuhet se janë masakruar si reprezalje”, thuhej në dokumentin britanik.
Ai në letër e cilëson si një masakër ngjarjen e 4 shkurtit por nuk jep numrin e saktë të të vrarëve. Ndërsa tregon emrat e disa të vrarëve, Naho Spiru shpreh shqetësimet se kjo ngjarje mund të përsëritet.
E megjithatë ende nuk ka një shpjegim të qartë zyrtar nga shteti shqiptar për këtë ngjarje por sipas këtyre fakteve ka ndodhur një masakër e vërtetë ndaj komunistëve të cilët kishin ngritur krye ndaj pushtetit të Mbretit Zog në Shqipëri.