7 vjet me Glam Radio, tingulli që bën diferencën!
Lexohet për: 5 min.
Studio-200324
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Zëri i kryeqytetit dhe jo vetëm, Glam Radio mbushi plot 7 vjet nga dita e themelimit. Ishte 21 marsi i vitit 2017 kur Prishtinës, gjithë Kosovës dhe dëgjuesve gjithandej botës iu shtua tingulli i bukur i radios së kohës, me të cilin ata u lidhën aq shumë dhe sot mbeten dëgjues besnikë të tij.  Kualiteti i mirë i zërit në Glam Radio, puna e bërë me dashuri dhe emisionet plot informacion e vetëm pozitivitet kanë bërë që Glam të mos jetë thjesht i pëlqyer, por të thyejë edhe rekorde. Vetëm në vitin e fundit ka arritur të ketë 64 milionë klikime online.  Me rastin e ditëlindjes së shtatë, drejtori i Glam Radio, Gent Efendia thotë se synimet janë që radio të vazhdojë të zhvillohet tutje.  

“Jo pak njerëz na kanë cilësuar si mistikë, por e dinë që bëjmë befasi të bukura. Ne tash e kemi edhe një frekuencë të dytë, 102 FM që e mbulon pjesën e Ferizajt që do të thotë se rrafshin e Kosovës e mbulojmë shumë mirë me kualitet që nuk dëgjohet te radiot tjera, që është një prej synimeve tona prej fillimit, që të kemi një kualitet bukur të mirë”.  Më tutje Efendia thotë se Glam Radio në vazhdimësi ka sjellë ndryshime në transmetim.  

 “Ka pasur ndryshime e detaje, të cilat njerëzit nuk mund t’i kuptojnë se prej nga vijnë ose kush i ka punuar, që janë xhingla që nuk i dëgjon në vend, por as në rajon. Kemi transmetuar maska e xhingla që janë punuar enkas për neve në të kënduar, jo si i kemi dëgjuar deri tash me muzikë të të tjerëve. Janë bërë detaje që e kanë bërë të tillë Glam Radion”. 
 
Ndërsa, njëri nga themeluesit e Glam Radios, Ardian Hoxha thotë se Glam frymon gjallëri në gjithë skenën e mediave në Kosovë.  “Arsyeja pse është themeluar Glam Radio është që të sjellë cilësi në dëgjim, nivelin e cilësisë së CD-së që ka munguar para se të vijë Glam Radio dhe kjo i ka shtyrë edhe radiot e tjera që ta përmirësojnë kualitetin e zërit në radio e vetura dhe për t’i arritur nivelet më të larta që i kanë radiot në qytetet e Evropës”. 
 
Një tjetër person që e ka bërë historinë e rritjes dhe zhvillimit të Glam Radios është edhe Arsim Limani, përgjegjës teknik dhe moderator. “Realisht, kur më ka ardhur ftesa në fillim nuk kam hezituar fare dhe iu kam bashkëngjitur projektit dhe ka qenë përgjegjësi e madhe se ma kanë lanë përgjegjësi atë që di ta bëj më së miri, përveç moderimit, edhe pjesën teknike. Kërkesat kanë qenë që duhet krijuar një radio që i përmbush standardet e radiove evropiane. Ia kemi arritur me shumë përkushtim, mund e dashuri ta sjellim Glam Radion me ‘soundin’ më të mirë”.  

Edhe moderatorja Fiona Xhema Troshupa ka udhëtuar me Glam Radion që nga dita e parë e punës së saj. Sot ajo është zëri i mëngjesit në emisionin e hershëm që transmetohet edhe në Kohavision.

“Është shumë interesant, nuk mund ta përshkruaj me një fjali sepse shtatë vjet janë shumë, por desha të potencoj që kemi provuar gjithçka në radio, emisione të ndryshme, njerëzit ndonjëherë mërziten ose bëhen monoton me një vend pune kaq gjatë, por e bukura është që radio na ka ofruar mundësi të provojnë gjëra të ndryshme. Kjo është e bukura e radios që na ka dhanë mundësinë ta gjejnë veten aty ku ndjehemi më së miri”.  
 
Për muzikën që e veçon Glam Radion nga radiot e tjera kujdeset tekniku Endrit Kaqiu. “Rrugëtimi i Glam-it sa i përket muzikës dhe anës së kreativitetit në pjesën e reklamacionit ka qenë mjaft i vështirë, sidomos pjesën e muzikës e marrë afër zemrës dhe mundohem t’i ndjekim trendet e fundit duke i përcjellë top-listat botërore dhe duke parë çka është ‘in’ në botë. Glam-i është zhvillu edhe në anën teknike edhe anës së ‘soundit’, atë se qysh tingëllon Glam-i në air.’’  

Leonard Gjidoda thotë se për dy vjet të punës së tij në Glam Radio e vlerëson shumë punën që bëhet dhe kolegialitetin e stafit. “Glam-in unë e kam dëgjuar edhe më herët, ndërsa prej kur jam pjesë e tij e di edhe nga afër se si po zhvillohet. Për këta dy vjet radio është zhvilluar shumë edhe me emisionet që po transmetohen edhe në televizion”. Së fundmi Glam Radios i është bashkëngjitur edhe gazetarja Paulina Nushi Muhaxhiri.
“Pjesë e Glam Radios jam bërë vitin e kaluar, por kam qenë këtu ditën kur është hapur Glam Radio dhe kam festuar me shokët e kolegët për hapjen e Glam. Ndër vite ajo që kam vërejtur është që Glam Radio është zhvilluar shumë dhe ky ka qenë synimi i Glam Radios, që të bëhet e veçantë në formën më të mirë të mundshme”.  

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024