7 vjet burg për Gruevskin - mbetet pa parcela e pa banesa
Lexohet për: 2 min.
Nikolla Gruevski
2 vite më parë
Linku u kopjua

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, tani azilant në Hungari, Nikolla Gruevski, u dënua me shtatë vjet burg për fshehjen e pasurisë në rastin “Parcelat në Vodno”, raporton Alsat.

Kushëriri i tij, ish-shefi i policisë sekrete Sasho Mijalkov, u dënua me një vit e tre muaj burg, ndërsa biznesmeni Orce Kamçev me një vit. Kumbari i Gruevskit nga martesa e parë, Risto Novaçevski dhe bashkëpunëtori i Kamçevit, Nenad Josifoviq morën dënim me kusht. Nëna e Kamçevit, Ratka, është shpallur e pafajshme sepse vepra e saj është vjetruar.

Gjykata i konfiskoi pronën Gruevskit. Bëhet fjalë për banesa dhe parcela në Vodno. Në konfiskim përfshihen tri banesat luksoze në “Panorama Residence”, si dhe dy banesa në rrugën Bihaqka. Nga konfiskimi janë përjashtuar pronat në pronësi të nënës së Gruevskit.

Prokurorja Lile Stefanova tha se sipas vlerës së tregut, pasuria e konfiskuar e të gjithë të dënuarve kap vlerën e rreth 3 milionë eurove.

“Vlerësoj se Prokuroria në këtë rast ofroi dhe shpalosi prova cilësore nga të cilat plotësisht u dëshmua dispozitivi i aktakuzës”, tha Stefanova.

Megjithatë, Stefanova nuk u mjaftua me masën e dënimit të Gruevskit dhe Mijalkovit dhe paralajmëroi ankesë. Ankesë paralajmëroi edhe mbrojtja. Avokati i Mijallkovit thotë se ndaj tij nuk ka pasur prova, e as nuk i është konfiskuar pasuria në “Parcelat në Vodno”.

“Neve nuk na pëlqeu dënimi i shqiptuar që është më i ashpër nga ato që kanë bërë larjen e parave, ndërsa ndihmësi, kinse, gjatë larjes së parave është dënuar më ashpër sesa ata që e kanë kryer veprën penale”, tha Zvonko Davidoviq, avokat i Mijalkovit.

Sipas aktgjykimit, paratë nga anëtarësia e VMRO-DPMNE-së, që janë paguar në emër të partisë, kanë përfunduar te Gruevski. Me ato para, përmes Belizes, Gruevski ka blerë prona në Shkup, dhe ka fshehur pronësinë. Bëhet fjalë për pronë prej 1.3 milion eurosh.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025