Shtatë kandidatë do të garojnë në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, raundi i parë i të cilave do të mbahet më 24 prill.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka bërë të ditur se deri në premten në mesnatë, shtatë nga 11 kandidatët e paraqitur kanë arritur të mbledhin nga 10.000 nënshkrime, sa janë të nevojshme për të marrë pjesë në garën presidenciale.
Në garën zgjedhore, Bashkimi Demokratik për Integrim do të garojë me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili ka grumbulluar rreth 11.000 nënshkrime, ndërsa opozita e bashkuar shqiptare me Arben Taravarin, kryetarin aktual të Gostivarit, i cili grumbulloi më shumë se 10.000 nënshkrime.
Pjesë e garës zgjedhore do të jetë edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i komunës së Karposhit në Shkup dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”.
Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa i dyti, së bashku me zgjedhjet parlamentare, më 8 maj.
Këto zgjedhje vlerësohen si shumë të rëndësishme për të ardhmen evropiane të vendit, ndërsa shërbejnë edhe si test për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Bazuar në Kushtetutën aktuale, në raundin e parë është thuajse e pamundur që të zgjidhet presidenti, pasi kandidati duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të të regjistruarve në listën zgjedhore apo gjysmën e votave të 1.8 milionë zgjedhësve.
Në raundin e dytë kalojnë dy kandidatët me më shumë vota, ndërsa fitues zgjidhet kandidati që fiton më shumë vota, me kusht që në zgjedhje të dalin mbi 40 për qind e elektoratit. Fushata elektorale, e cila do të zgjasë 20 ditë, do të nisë më 4 prill. /REL