Më 26 korrik 1963, Shkupi u trondit nga një tërmet i fuqishëm që la të vdekur 1.070 persona ndërsa u lënduan tre mijë të tjerë.
Nga tërmeti u shkatërruan 15.800 ndërtesa dhe u dëmtuan 28.000 të tjera. Mbi 200.000 persona mbetën pa kulm mbi kokë. Nga tragjedia e Shkupit u trondit dhe u angazhua e gjithë bota.
Organizatat humanitare në shumë vende u përfshinë në mbledhjen e ndihmave për Shkupin. Kështu, Shkupi u bë qytet i solidaritetit ndërkombëtar. Menjëherë pas katastrofës, Kombet e Bashkuara morën aktivitete që në mënyrë të planifikuar dhe afatgjatë ta ndihmojnë qytetin e shkatërruar.
Në kohën kur ekipe profesioniste nga OKB-ja filluan të arrijnë në Shkup, në selinë e Organizatës ndërkombëtare është thënë se Shkupi do të jetë përmendore e solidaritetit njerëzor. Më 23 shtator 1963, 35 vende kërkuan nga Asambleja e Përgjithshme të vendosë në rend dite të seancës së saj pikë për ndërmarrjen e masave me rastin e tërmetit në Shkup.