Armëpushimi në Gaza, sot shkëmbehen të burgosurit
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Rritet në 45.338 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza
2 orë më parë
Linku u kopjua

Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit të Gazës, duke përfshirë shkëmbimin e të burgosurve, që zgjat 42 ditë, hyn në fuqi në orën 8:30 të mëngjesit me orën lokale.

Të dielën, tre të burgosur izraelitë të mbajtur në Gaza do të shkëmbehen me rreth 90 palestinezë nga burgjet izraelite.

Qeveria e Gazës njoftoi të shtunën përfundimin e një "plani gjithëpërfshirës" për të adresuar marrëveshjen e armëpushimit midis fraksioneve palestineze dhe Izraelit. Plani synon të sigurojë kthimin gradual të jetës normale në brez dhe përfshin masa urgjente në terren, si sigurimi i zonave të prekura dhe ofrimi i ndihmës humanitare për banorët.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas deklaroi se qeveria palestineze është e gatshme të marrë përgjegjësitë e saj në Gaza dhe theksoi nevojën që Izraeli të tërhiqet plotësisht nga rripi, raporton AA.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq njoftoi gjithashtu të shtunën gatishmërinë e tij për të lehtësuar një "operacion të saktë" për shkëmbimin e të burgosurve dhe pengjeve midis fraksioneve palestineze dhe Izraelit, së bashku me intensifikimin e përpjekjeve të ndihmës humanitare në Gaza.

Në të njëjtën ditë, ushtria izraelite paralajmëroi banorët e Gazës që të mos lëvizin midis pjesëve veriore dhe jugore të rripit ose t'u afrohen zonave ushtarake në prag të marrëveshjes së shkëmbimit të të burgosurve dhe armëpushimit.

Ministria e Jashtme egjiptiane njoftoi në një deklaratë të shtunën formimin e një dhome operacioni të përbashkët, me bazë në Egjipt, për të monitoruar shkëmbimet e të burgosurve, hyrjen e ndihmave humanitare dhe lëvizjen e individëve pas rihapjes së kalimit kufitar Rafah në Gaza- kufiri me Egjiptin.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025