Për rritjen e çmimit të tatimit në pronë, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, sot ka ftuar në raportim ministrin e Financave, Hekuran Murati. Raportimi i ministrit Murati pritet të mbahet të premten në orën 13:30.
Kryetari i Komisionit, Armend Muja ka thënë se ftesa është miratuar pas kërkesës së deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotit.Komisioni në fjalë ka shqyrtuar dhe miratuar raportin e shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën tetor-dhjetor për vitin 2022 dhe kërkesën për ndarje buxhetore për periudhën janar-mars për vitin 2023 në vlerë prej 2 milionë e 240 mijë euro.
Kryetari i Bordit të RTK, Besnik Boletini ka bërë prezantimin e raportit të shpenzimeve për tre mujorin e katërt, të vitit 2022.
“Në këtë periudhë tre mujore kemi paraparë të hyra prej 2 milionë e 515 mijë euro, kurse janë realizuar të hyra prej 2 milionë e 556 mijë euro, pra janë realizua mbi 41 mijë e euro më shumë të hyra. Kjo për shkak të hyrave nga marketingu si dhe për shkak të transmetimit të Kampionatit Botëror në Futboll në RTK. Bilanci në fund I mbetur I pa shpenzuar ka qenë 60 mijë euro, të cilat në këtë fillim vit vec janë përdorë për me I paguar tatimet për disa shpenzime. Kjo është pasqyrë përmbledhëse, për tremujorin e katërt të vitit 2022”, ka theksuar ai.
Komisioni për Buxhet, po ashtu, ka shqyrtuar edhe Projektligjin për Byronë Shtetërore dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikushme, por i njëjti nuk është hedhur në votim.
“Departamenti I buxhetit në Ministrinë e Financave në bazë të deklaratës të ndikimit buxhetor dhe financiar ka vlerësuar se zbatimi I projektligjit krijon kosto shtesë buxhetore në periudhën 2022-2023 në shumën prej 607 mijë euro si dhe një numër prej 30 pozitave të reja. Në ndërkohë nga amendamentet e propozuara nga Komisioni funksional nuk përmbajnë implikime buxhetore”, është shprehur ai.
Ndërsa, deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti ka theksuar se nevojitet vlerësim i ri buxhetor për Byronë Shtetërore.