Natën e 8 dhjetorit 1990, rreth 300 studentë nisën atë që më vonë u quajt Lëvizja Studentore e 90-ës. Ata të organizuar marshuan nga Qyteti Studenti drejt qendrës së Tiranës.
Marshimi i tyre ndaloi mes Qytetit Studenti dhe bulevardit të Tiranës. Radhët e tyre ishin shtuar minutë pas minute dhe turma kishte mbërritur deri në 1000 persona.
Të nesërmen, më 9 dhjetor, studentët i konfirmuan kërkesat presidentit të asaj kohe, Ramiz Alisë, ku kërkonin në vija të përgjithshme pluralizmin politik, lirinë e fjalës dhe përshpejtimin e reformave demokratike.
Protestat vazhduan deri më datën 11 dhjetor në mbrëmje, kur në takim me Ramiz Alinë u konfirmua edhe pluralizmi politik, të cilin e shpallën menjëherë pas kthimit nga ai takim, duke nisur edhe organizimet për themelimin e Partisë Demokratike.