Rreth 30 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Mitrovicës, të cilët dyshojnë se janë helmuar nga ushqimi që kanë ngrënë në lokalin “On Top Food”. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka inspektuar këtë lokal, me ç’rast njoftojnë se higjiena sanitare nuk ka qenë në gjendje të mirë dhe se e kanë mbyllur lokalin përkohësisht.
Në njoftimin e AUV thuhet se parregullsi kanë hasur më së shumti në pjesën ku përgatitet doneri, derisa shtojnë se lokali nuk ka ofruar dëshmi për pajisjen e stafit me libreza sanitare.
Nga kjo agjenci potencuan se operatorit ekonomik do të ndërmerren të gjitha masat ligjore nga të gjeturat përfundimtare, derisa treguan se pacientët kanë marrë trajtim mjekësor dhe janë liruar në shtëpi.
“Janë marrë strishot nga mjetet e punës, tavolinat e shërbimit, pjata e servimit dhe duart e kuzhinierit. Janë marrë mostra të produkteve ushqime: doner, pleskavicë, sallatë majoneza dhe sosa. Të gjitha mostrat janë përgatitur sipas procedurës standarde për dërgim në laborator. Lokali është mbyllur përkohësisht deri në nxjerrje të rezultateve të analizave laboratorike. Janë vizituar përsëri pacientet për të parë gjendjen shëndetësore. Të gjithë pacientet deri me tani (30) qe kanë marrë trajtim mjekësorë janë liruar për shtëpi. Jemi duke monitoruar situatën mbi gjendjen e shëndetësore të pacienteve. Ndaj operatorit ekonomik do të ndërmerren të gjitha masat ligjore konform të gjeturave përfundimtare raporteve të analizave laboratorike. Jemi ende në teren bashkë me mekanizmat tjerë shtetërorë, për të marrë veprimet të nevojshme për mbrojtjeje të shëndetit të qytetareve”, potencohet nga AUV.
“Pas lajmërimit nga IKSHPK zyra në Mitrovicë se disa paciente kanë kërkuar ndihmë mjekësore nën dyshimin për helmim me ushqim. Inspektorët Sanitarë të AUV-së në Mitrovicë menjëherë kanë dalë në raste bashkë me Policinë. Fillimisht janë vizituar pacientet në Emergjencën e spitalit në Mitrovicë. Nga pacientet e shtrirë është marrë informata për emrin dhe adresën lokalit gastronomik ku janë shërbyer me ushqime. Ndërsa nga ekipi mjekësore janë marrë të dhënat mbi anamnezën e të shtrirëve, shenjat klinike për dyshimet në helmim. Inspektorët bashkë me Policë kanë nisur inspektimin në lokalin gastronomik të ushqimeve të shpejta ‘’ On Top Food’’ Rr. Skënderbeu Mitrovicë”, thonë ata.