Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Humolli ka thënë para Dhomave të Specializuara në Hagë se është skeptik nëse kjo gjykatë do të jep vendime të drejta. Humolli, i cili është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se është përpjekur ta shfuqizojë Gjykatën Speciale dhe se do të votonte për këtë nëse do të krijohej mundësia. Derisa po dëgjohet si dëshmitar në gjykimin ndaj Salih Muustafës, ai ka thënë se beson që ish-bashkëluftëtari i tij është i pafajshëm.
Megjithatë, Humolli ka thënë se e respekton institucionin e Speciales meqë e njëjta është krijuar nga Kuvendi i Kosovës.
“Kam bërë përpjekje që deputetët me anulu këtë gjykatë por ende nuk kam mundur me gjet mbështetje të mjaftueshme të deputetëve dhe këtë gjykatë institucionet tona duhet me e kthy në Prishtinë, jo me qenë këtu. Unë kam qenë i dënuar në shtetin jugosllav dhe Jugosllavia i ka pasur të gjitha republikat të mbushura me të burgosur shqiptar, çka ka nevojë sot me u mbush me të burgosur edhe burgjet e Evropës, me i bartë prej Kosovës me ardh këtu, kur KFOR-i ka qenë dhe është në Kosovë, UNMIK-u ka qenë dhe është në Kosovë, EULEX-i ka qenë në Kosovë, dhe sot me thënë që nuk ka mundësi me u zhvillu gjykimet në Prishtinë është ofendim ndaj Bashkimit Evropian, dhe këtu ia ka arrit qëllimit Serbia duke ndërtuar këtë gjykatë ka thënë që EULEX-i nuk ka mundur me bë rend e ligj në Kosovë, UNMIK-u nuk ka mundur me bë rend e ligj në Kosovë”, ka thënë Humolli.
Humolli ka thënë se është skeptik nëse kjo gjykatë mund të jap gjykime të drejta derisa është pyetur se a beson që ky institucion do të nxjerrë vendime të drejta.
Humolli: Prej Aeroportit të Prishtinës, mënyrës si është sjellë kjo gjykatë në raport me neve që jemi shqiptarë, tregon që mua mu ka fuqizuar ajo bindje, por pavarësisht prej kësaj, pa e provuar është obligim i joni qytetar...
Gjykatësja: Mos jepni hollësi për mënyrën si keni udhëtuar këtu.
Humolli: Jam skeptik dhe skepticizmin tim po ma fuqizon mënyra se si bëni pyetje ju. Ende nuk janë krijuar kushtet për me shfuqizu, në momentin e parë që do të krijohen mundësitë për me shfuqizu kjo gjykatë nuk do të jetë më prej Kuvendit të Kosovës.
Humolli ka thënë se i respekton vendimet e Kuvendit të Kosovës, ku edhe është krijuar kjo gjykatë por vazhdon të vlerësojë se e njëjta është ndërtuar në mënyrë të padrejtë.
Megjithatë, Humolli ka thënë se do të flas vetëm të vërtetën në këtë gjykatë derisa ka bërë të ditur se pas arrestimit të Salih Mustafës, ai ka vizituar familjen e ish-bashkëluftëtarit të tij dhe ka shprehur gatishmërinë e tij që të dëshmojë në këtë gjykim nëse është e nevojshme.
“Unë mbështes drejtësinë dhe besoj që Salih Mustafa është i pafajshëm dhe e trimëroj që me qëndru drejt, nëse ka bërë gabime me i tregu gabimet, nëse nuk ka bërë gabime me e mbrojtë vetën deri në fund, ndryshe nuk ka mundur me qenë anëtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës... Për luftën dhe jetën që e ka bërë, atë që kemi ditë, ne e dimë që lufta dhe jeta e tij ka qenë gjithmonë në shërbim të vendit, asnjëherë nuk ka qenë luftë egoiste për interesa personale”, ka thënë dëshmtiari.
“Salih Mustafa prej luftës dhe pas luftës ka punuar nëpër institucione të Kosovës, ka bashkëpunuar me NATO-n, ka bashkëpunuar me të gjitha mekanizmat ndërkombëtare në sektorin që ka vepruar dhe ka punuar dhe për mua ka qenë befasi arrestimi i Salih Mustafës kur ka shkuar deri në Bruksel me paraqit dijen e tij, përvojën e tij dhe në këtë moment për cilindo qytetar, edhe në media nëse e ke parë, janë befasuar për arrestimin e Salih Mustafës,”, ka shtuar ai.
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Zona Operative e Llapit ka thënë se arrestime të tilla janë politike dhe nuk synojnë zbardhjen e të vërtetës.
Humolli është dëshmitari i 13-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe dëshmia e tij ka filluar të dëgjohet dje në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ndër të tjera, ai ka thënë se asnjë ushtri në botë nuk ka bërë luftë të pastër si Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Aktakuza ndaj Salih Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.