Pas rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19, disa shkolla në Kosovë kanë kaluar në mësim online.
Nga 780 shkolla, 27 prej tyre tashme po vijojnë mësimin në platformën online. Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Dukagjin Pupovci, i cili ka nënvizuar edhe se vendimet për të kaluar në mësim online e marrin task-forcat e shkollave varësisht nga gjendja që paraqitet. Ai ka hedhur poshtë gjitha aludimet se nxënësve në disa shkolla po u kërkohen testet COVID-19.
Pupovci theksoi se shkollat duhet të jenë të fundit që do të mbyllen.
“Ne mendojmë se shkollat duhet të mbyllen të fundit dhe kjo është arsyeja që u është lënë shkollave të vendosin vet. Asnjë shkollë nuk është se e nxisim të punojë me prezencë fizike nëse nuk i ka kushtet për të punuar me prezencë fizike. Nuk ekziston ndonjë rregull që u kërkon nxënësve të bëjnë teste çdo ditë, nuk ka askund në botë diçka të tillë prandaj nuk ka as në Kosovë dhe nëse në një të ardhme vlerësohet se rreziku për shëndetin publik është i tillë që shkollat duhet të mbyllen ose të shkojnë online atëherë me siguri do të veprohet ashtu, por për momentin një veprim i tillë nuk ekziston”, potencon ai.