Protesta janë mbajtur në të gjithë Australinë në përgjigje të një vale të dhunës së fundit kundër grave. Demonstruesit duan që dhuna me bazë gjinore të shpallet një emergjencë kombëtare dhe të vendosen ligje më të rrepta për ta ndaluar atë. Në Australi, një grua është vrarë mesatarisht çdo katër ditë deri më tani këtë vit. Kryeministri Anthony Albanese tha se çështja ishte një krizë kombëtare. Duke folur në një marshim në kryeqytetin Canberra ku morën pjesë mijëra protestues, Albanese pranoi se qeveria në të gjitha nivelet duhet të bëjë më shumë. "Ne duhet të ndryshojmë kulturën, qëndrimet, sistemin ligjor dhe qasjen nga të gjitha qeveritë. Ne duhet të sigurohemi që kjo të mos varet nga gratë, por nga burrat që të ndryshojnë sjelljen e burrave gjithashtu”, tha ai.
Duke iu përgjigjur thirrjeve të protestuesve që dhuna ndaj grave të klasifikohej si një emergjencë kombëtare, ai shtoi: "Ne nuk kemi nevojë për një apo dy muaj - ne duhet ta trajtojmë këtë në mënyrë serioze, javë pas jave, muaj pas muaji, vit pas viti." Në fillim të këtij muaji, një burrë vrau me thikë gjashtë persona në një qendër tregtare të Sidneit. Pesë nga viktimat ishin gra dhe policia po shqyrton nëse ato ishin objektivi. Komisionarja e Forcave Policore të Uellsit të Ri Jugor, Karen Webb, tha se "shkelësi u përqendrua te gratë dhe shmangte burrat". Protesta përkoi gjithashtu me akuzimin e një burri për vrasjen e dyshuar të 30-vjeçares, nënë e katër fëmijëve, Erica Hay, e cila u gjet e vdekur pas një zjarri në shtëpi në Perth në fillim të këtij muaji. Në total, 27 gra janë vrarë në 119 ditët e para 2024, sipas të dhënave të përpiluara nga grupi i fushatës Destroy the Joint. /BBC